Ku buron 'budallakia' e konspiracioneve në shtëpinë që po e shikojnë qindra-mijëra kosovarë?
Qindra përdorues të rrjeteve sociale po komentojnë se si banorët e një “reality show” po flasin për gjëra që janë aq të kota dhe në mënyrë qesharake rrena, aq sa “po na vije marre” që flasim të njëjtën gjuhë. Por ajo që po flitet brenda kësaj shtëpie është ushqyer me vite nga personalitete sikurse Alfred Cako, që i është dhënë hapësirë aq e madhe në televizionet shqiptare, duke e lejuar që të helmojë mendjet e qindra-mijëra shikuesve me konspiracione që kanë rrezikuar edhe shëndetin e tyre. Por teksa viktimat e konspiracioneve të Cakos, përballen me përbuzje e tallen kolektivisht në rrjete sociale dhe madje u ndalohet edhe transmetimi në televizion, Cako vazhdon të jetë një yll televiziv dhe një helmues i opinionit publik.
A jemi vonë me kukatë?
“Kuku 10 mijë veta tu i kqyr live”. “Kuku çka po folin”. “Kuku çfarë budallakie”.
Këto janë disa nga shprehjet më të përdorura kur lexojmë ata të cilët komentojnë një format të ri “reality show” që ka nisur të transmetohet fillimisht në kanalin televiziv “First Channel” të cilit iu ndalua transmetimi e më pas në kanalin e këtij televizioni në Youtube. Nëse i lexon komentet e njerëzve nëpër rrjete sociale që shkruajnë për këtë spektakël, të krijohet përshtypja sikur ky spektakël po dështon dhe askush nuk po e shikon. Por sapo kalon në “Youtube” dhe hyn tek videoja “Live” nga “Its my Home” minimalisht janë duke e shikuar 1 mijë përdorues, maksimalisht 22 mijë. Shumica e banorëve jashtë shtëpisë, komentojnë ato që flasin ata brenda shtëpisë, sikur të ishin gjëra që po i dëgjojnë për herë të parë. Vërehet në masë të madhe tendenca që ata të personifikohen si të padijshëm dhe si “mish i egër” i shoqërisë sonë, duke i përjashtuar ata nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Por llafet e tyre janë lllafe të zakonshme të shumë tavolinave me shoqëri nëpër kafehane ose rrjete sociale si “Facebook” e “Tiktok”. Muhabetet me “faktet” e tyre janë muhabete që i dëgjon nëpër televizione të ndryshme shqip kudo që i hap ato. “Its my home” është krijesë e drejtorit të televizionit “First Channel”, Valon Maloku i cili për dallim nga “vëllai i madh” në formatin e “Big Brother” ka shpikur termin “baba”, ka pranuar se ka bërë përzgjedhjen e banorëve. A i ka futur ai me qëllim banorët specifik të cilët i njeh qysh moti dhe e din shumë mirë se çfarë niveli të dijës dhe sjelljes kanë, me qëllim që t’i eksploatoj për të arritur efektin e famës, përmes manipulimit me nevojën e audiencës për të përqeshur të tjerët? Ka mundësi. Bile kryeredaktori i Nacionales, Jetlir Buja mendon se pikërisht kjo ka ndodhur. Dëgjojeni podcastin“Përleshje” mbi këtë temë.
Por përtej kësaj, ajo që është komentuar ose në këtë rast po përqeshet masivisht nga publiku, ka të bëjë me disa teori të cilët banorët i flasin aty, teksa tentojnë të debatojnë për “çështje globale”, janë gjëra që janë ushqyer vazhdimisht nga konspiracionist sikurse puna e Alfred Cakos. Ai në fakt është baba i shumicës së opinioneve të krijuara së fundmi e që fliten kudo, e që po shpërfaqen në shtëpinë e vëzhguar non-stop nga kamerat.
Kush është Alfred Cako - “baba” i vërtetë në shtëpinë e konspiracioneve?
Nëse kërkon në “Google” për biografinë e Alfred Cakos nuk gjen diçka të plotë e shpjeguese. Ajo që dihet është se ai drejton një shtëpi botuese që quhet "Helga's Secrets" një shtëpi botuese që u bë e njohur kur para disa vitesh botoi në shqip manifestin politik të Adolf Hitlerit, “Mein Kampf”. Kjo ka ndodhur në vitin 2015 dhe prej atëherë Cako është bërë një personazh që nuk ka munguar në mediat shqiptare.
Përtej botimit të librave që ai i quan “jo fiksion”, ndikimi i tij u rrit në 5 vitet e fundit e shpërtheu në dy vitet e pandemisë, kur Cako u bë njeriu kryesor që fliste kundër vaksinimit me vaksinën anti-Covid. Atij iu dha hapësirë e jashtëzakonshme në televizionet shqiptare, sidomos në Shqipëri, të gjitha pa përjashtim, por arriti edhe në Kosovë duke u prezantuar në disa emisione që transmetohen në televizione të ndryshme nacionale.
Tash ai ka emisionin e tij në televizionin “Ora” në Shqipëri si një etablim kryesor i ndikimit të tij. Ai flet për gjithçka, dhe të gjitha ato që janë folur nga banorët e shtëpisë për të cilën po flitet shumë, janë burim nga Cako. Konspiracioni që një grup i vogël i njerëzve në botë e kontrollon botën, se “Iphone9” nuk u prodhua për shkak se lidhet me “fytyrën e njeriut”, se shumica e njerëvze të famshëm janë të krijuar nga “masonët” se “ngrohja globale nuk egziston” se “bota po shkon drejt një rregulli të ri botëror” etj etj, janë të gjitha teori të cilat janë trumbetuar nga Cako përmes hapësirës së madhe që i është dhënë nnga televizionet dhe mediat tjera.
Pse janë të famshme konspiracionet?
Në një botë përplot informacione por në të njejtën kohë me plot ndodhi që njerëzit që se kanë profesion ose nuk studiojnë për to, nuk i kuptojnë, konspiracionet janë ushqimi kryesor. Historiani dhe filozofi futuristik, Yuval Noah Harari në librin e tij “21 pyetje për shekullin 21” shpjegon në mënyrë shumë të thjeshtë se përse konspiracionet janë kaq të famshme. Ai merr shembull konspiracionet në kohën e pandemisë së virusit “Covid 19” ku një pjesë e madhe njerëzve në botë nuk pranoin të merrnin vaksinën sepse besonin në teoritë konspirative për vaksinën si një diçka që do t’i jepte fund njerëzimit.
Sipas Hararit, shenja kryesore që e dallon konspiracionin nga e vërteta është “thjeshtësia”.
“Bota është e ndërlikuar. E vërteta është shpesh e pakëndshme dhe e dhimbshme të dihet. Truri ynë thjesht nuk evoluoi për ta kuptuar këtë”, thotë Harari në një bisedë podcast me Bill Gates, krijuesin e “Microsfot”.
Harari vazhdon të shpjegojë sesi konspiracioni gjen hapësirë tek gjërat e ndërlikuara. “Nuk na pëlqejnë gjërat që janë të vështira për t'u kuptuar. Ne preferojmë gjëra që janë të lehta për t'u kuptuar. Andaj kemi konspiracione për vaksina që do të vrasin, sepse nuk kemi kapacitet të kuptojmë virusin që nuk shihet, ose nuk e kuptojmë sesi funksion qeverisja e botës andaj besojmë se egziston një grup i vogël që kontrollon gjithçka”, thotë Harari, duke vazhduar me një fjali, që i përshtatet më së miri asaj që flitet në “Its my Home”.
“Na pëlqejnë konspiracionet sepse na bëjnë të ndihemi të zgjuar. Njerëzit krijojnë përshtypjen se po kuptojnë se çfarë po ndodh në botë, andaj ata besojnë në konspiracine”.
Nëse i shikoni mirë gjuhën trupore të njerëzve kur ju folin konspiracione kanë pikërisht këtë qëndrim.