Kryesisht sinonim i “seksit me nënën e tjetrit”: Çka përfaqëson sirena në trafikun kosovar?
Nënat e tyre dhe tonat përfshihen në dëmin kolateral verbal pas gati çdo sirene që dëgjojmë në trafik.
Apo, të paktën, kështu besojnë të jetë disa shoferë kosovarë, kur vetë ose të tjerë e përdorin sirenën. Përveç në rastet e dasmave ku sirenat shërbejnë për të shprehur gëzim.
Për një kohë të gjatë është punuar me zell nga pjesëtarë të popullit që të ma ngulitin në kokë mendimin se sirena në trafik, në të vërtetë, ngërthen në vete shumë më shumë se ndotje akustike. Perversiteti dhe shprehja e vullnetit për të kryer marrëdhënie intime me nënën ose të afërm të tjerë, familjarë të tjetrit, është teoria që ka fituar besueshmëri të madhe në logjikën time, kur dëgjoj e shoh duke dëgjuar njerëz që trusin sirena në trafik.
Më kurseni nga numërimi, por dhjetëra herë kam qenë i pranishëm, kur ka kërcitur një e sharë e keqe nga shoferi me të cilin e ndaja udhëtimin, pasi paraprakisht kishte bërë tyt-tyt. Në të shumtën e rasteve, e pësonte nëna e homologut të tij në veturën tjetër, që futej në shiritin e parë për daljen e parë në rrethrrotullim, nuk jepte përparësi në rrugë me përparësi kalimi ose thjesht ngiste më ngadalë se që duhej në shiritin e majtë.
“Kur ta dëgjoj sirenën, e di që edhe nëna po më përmendet”- thotë Adijata Zhdrella.

Krejt këto përvoja jo shumë të këndshme me shoferë të ndryshëm më kanë shkaktuar një farë traume dhe jo mungese të tolerancës ndaj sirenave në trafik si shofer i ri, që ka filluar të drejtojë rregullisht veturë në tre - katër muajt e fundit.
Për më tepër, udhëtimet jashtë vendit më kanë bërë të reflektoj edhe më shumë rreth fenomenit të sirenave dhe asaj se çka përfaqësojnë ato në kulturën kosovare. Berlini, Viena e Sevilla nuk e tregonin vullnetin e njëjtë për qortime akustike në trafik nga rehatia e veturës, njëkohësisht duke m’i minimizuar mendimet ose pretendimet për seks shoferësh me nëna në proces.
“Sirenën nuk e përdori, se shumë joedukatë më duket”- më tha Leart Çeku, pjesëtar i trafikut automobilistik. “Në vende perëndimore, a e ke pa që as çerekun e [sirenave] Prishtinës nuk i përdorin”- shtoi ai për kënaqësinë time, që po ma forconte teorinë e shpalosur në paragrafin paraprak.
“Po, 100 për qind. Me nanë, direkt”- shtoi tutje ai, pasi e pyeta nëse mendon se sirena i vjen edhe me një sharje falas.
Ka të tillë, madje, që trafikun në Prishtinë e konsiderojnë si “luftë për mbijetesë”.
“Me zo shaj, kur i bie sirenës në komunikacion,”- thotë Gent Bislimi. “Nuk ka të bëjë me shprehi të keqe (përdorimi i sirenës), por është çështje që ka shumë pakujdesi në komunikacion dhe është vozitje për mbijetesë, dmth. kush t’mundet, hin, del, me mbërri i pari. S’ka mëshirë”- shton Bislimi, i cili madje potencoi se e përdor deri në dhjetë herë në ditë sirenën, ndërsa unë krejt çka po mendoja ishin dhjetë nënat e pafajshme që potencialisht pësojnë nga qasja brutale e tij në trafik.
Mungesa e sirenës, e metë në trafik
Në diskutime e sipër me insanë të ndryshëm që, në mesin e plot gjërave të tjera, janë edhe pjesëmarrës trafiku, gjeta një i cili kishte vozitur me sirenë të prishur për dy vjet. Imagjinoni ta keni sirenën e prishur, ndërkohë të dëgjoni sirena të referuara për ju dhe potencialisht për nënën tuaj, në pamundësi kundërpërgjigjeje.
Qe qysh ma shpjegoi J. B. përvojën e tij në trafik për dy vjet pa sirenë për ta shtypur.
"Pata mbetë pa sirenë për nja dy vjet, sepse kerrin e kam pasë relativisht të vjetër dhe goxha të prishtë. Nuk ka qenë ndjenjë e mirë. Ka qenë sikur me mbetë pa zë. E aty, kur nuk e ki sirenën, i bie që duhesh me qenë ekstra i kujdesshëm. Përveç kësaj, i bie edhe që je shumë tolerant, edhe pse nuk je. Të shajnë me nënë, e ti s’mund t’i shash me babë psh. Të shkon nerva dikush në trafik, ama duket sikur s'ta ninë"- tha J. B.
Shikojini pamjet e dëgjojini sirenat e siguruara nga droni i Nacionales dy javë më parë në eksperimentin e Komunës së Prishtinës në trafik.
Ndihem jashtëzakonisht i lumtur që e kam shmangur përdorimin e veturës gjatë dy ditëve të fundjavës së kaluar jo, por paraprakes. E kam ndjesinë se kam kursyer shumë më shumë sesa thjesht ngujimin në trafik dhe sirenat e fuqishme e të gjata. As që dua të mendoj për Përparim Ramën dhe sa herë kanë mundur të shndërrohen në subjekte sharëse ata me të cilët ai ka lidhje emocionale.
Gazetari Vullnet Krasniqi, në fakt, duket se ka imagjinatë të edukuar kur paramendon sharjet potenciale në drejtim të numrit 1 të Prishtinës.
Çka thotë ligji dhe a dënohet ndonjëherë ndokush në trafik për përdorimin e sirenës?
Në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor të Kosovës, më saktësisht në nenin 80 të këtij ligji, thuhet se “ndalohet të keqpërdoren sinjalet e zërit dhe dritës dhe ndalohet të jepen sinjale zëri brenda zonës urbane, përveç në rast rreziku të drejtpërdrejtë”.
Në të njëjtin ligj paralajmërohet gjobë prej 30 eurosh në rast të shkeljes së këtyre rregullave.
Policia ende nuk është përgjigjur në shkresën time elektronike, me të cilën kam kërkuar statistika për dënimet e shqiptuara për përdorim të panevojshëm të sirenave në trafik në vitin e fundit, por një gjysmë përgjigje ndoshta mund ta merrni nga vetja juaj. A ju ka ndodhur apo a keni dëgjuar t’i ketë ndodhur ndokujt të dënohet në trafik për përdorim të panevojshëm të sirenës?
Natyrisht, kjo pyetje është jashtëzakonisht subjektive dhe mund të fuqizojë teori të paqena nga të dhënat reale në terren, por është një që, pa dyshim, ia vlen t’i bëhet vetes.
Herën tjetër, kur bëni tyt-tyt, edhe nëse nuk e keni atë mendim fare në kokë, futeni në ekuacion idenë se tjetri mund të jetë duke menduar se po i shahet, jo domosdoshmërisht, “më e shenjta”, dhe ju mund të pësoni njëjtë si revansh.
