Ta q**sha babën: A duhet të ndërrohen sharjet seksiste në Kosovë - NACIONALE

Ta q**sha babën: A duhet të ndërrohen sharjet seksiste në Kosovë

2 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Mund të bëjmë sikur nuk e dimë, mund të bëhemi sikur nuk i dëgjojmë, por në Kosovë [si në shumë vende tjera të botës] ekziston një kulturë e gjerë dhe shumë e pushtetshme e sharjes/ofendimit.

Shumica prej tyre shprehin kushte të caktuara socio-kulturore të dekadave apo edhe shekujve të kaluar, mirëpo përdorimi i tyre është masiv dhe i përditshëm edhe sot. Ky përdorim bën që vlera të caktuara të na hyjnë në mendje edhe nëse jemi shumë të dhënë pas emancipimit të vetes sonë.

Në një ligjëratë të bërë në sallën e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, para shumë vitesh, filozofi i njohur slloven, Sllavoj Zhizhek, ndante një përvojë personale se si ishte bërë shok me një shqiptar të Kosovës.

“[Me një shqiptar] ishim gati shokë – duke u bërë shokë – por diçka na mungonte. Ishim ende të ftohtë dhe respektues të njëri-tjetrit si shokë. Dhe më pas, shqiptari e bëri lëvizjen e parë – e di që është klishe raciste, por më kanë thënë që me ju mund të tallem me gjithçka pos për nënën dhe motrën – nuk është mirë pra që t’ju them “ta q* nënën”. Ai mu afrua një mëngjes – u shokova sepse ai ishte intelektual – dhe më tha “ta q*fsha nënën!”. Dhe unë e kuptova se cili ishte mesazhi. Mesazhi [i fshehur] ishte “hajde bëhemi tamam shokë!” A e dini cila ishte përgjigja ime e menjëhershme: “vazhdo – pasi ta bëj unë me motrën tënde!” A e dini çka ndodhi më pas? Më pas ne u përqafuam dhe u bëmë shokë...”

Kjo shaka e papërshtatshme seksiste që na bënte si komb edhe objekt racizmi, megjithatë shpreh një të vërtetë të përmbysur: të sharat janë ura që lidhin dy shokë dhe se viktima të kësaj kulture të sharash janë gratë.

Të sharat më të shumta lidhen me gratë, si njëmijë-e-një përdorimet apo variantet e asaj e të sharës së lartpërmendur “ta q*fsha nënën/nanën”. Ka edhe të tilla që shprehin botëkuptime të stërlashta si “t’i q*fsha rob’t”. Kjo shpreh jo më pak se konceptimin se të gjithë anëtarët e familjes janë robër që sundohen nga i zoti i shtëpisë, që është burrë.

Në një botë të papërsosur, nëse është e pamundur t’i zhdukim rrënjësisht të sharat si dukuri, më e pakta që mund të bëjmë është të mundohemi t’i japim gjithëpërfshirje gjinore.

Si shembull nënvizues në këtë aspekt mund t’i marrim shtetet perëndimore që nuk hezitojnë të përfshijnë edhe burrat në të sharat e tyre. Kur thonë ‘’you’re such a d*ck’’ (sa penis që je), përveç që përshkruajnë element anatomike, kanë për qëllim të ekspozojnë një person të pasjellshëm dhe të paedukuar. E dimë, paksa ironike, të ofendosh pasi të ofendohesh, apo jo?

Mirëpo, gjërat qëndrojnë shumë më ndryshe kur flasim për kulturën e të sharave në Kosovë. Vullneti për të përdorur të shara denigruese duke përshkruar pjesët anatomike të gruas, dukshëm më shumë se të burrave, hap një tjetër dimension të seksizmit.

Është e natyrshme të hamendësojmë kur dëgjojmë shembull etiketën ‘k*rvë’ se bëhet fjalë për një vajzë, e cila po përdoret si subjekt për ofendim, por gati në të gjitha rastet e dimë se kemi të bëjmë me një burrë kur përdoret fjala ‘p**h’, sepse burrat që nuk janë ‘burra sa duhet’ janë konsideruar historikisht si zhgënjim për shoqërinë.

Në praktikën kosovare, të fiksuar pas seksualitetit të femrës, ‘p**h’ përdoret edhe për të përshkruar një grua tërheqëse, me përmasa të theksuara trupore por jo domosdoshmërisht.

“Mendoj se duhet (të modifikohen të sharat për të përfshirë edhe burrat), por e shoh të pamundur. Fëmijëve u mësojnë të shajnë me nënë e motër që në kopsht,” u shpreh Vala Ana Selmani për Nacionalen, aktiviste e zëshme për barazi gjinore në grupin ‘Feminizmi shqiptar‘ në Facebook.

Një qëndrim interesant rreth çështjes e pati ‘Nagini’, poashtu e njohur në komunitetin kryeqytetas për qëndrimet e saj të fuqishme feministe, kur u kontaktua nga Redaksia dhe iu parashtrua e njëjta pyetje.

“Nuk kam najfarë komenti sinqerisht. Unë s’kom qef me u sha njerëzit mes vete hiç. Më pëlqen me u shprehë qysh të dojnë edhe nëse është najfarë fjale ma e ronë, psh ‘’t’k*rit’’, po s’kom qef me shajtë dikënd tjetër. E sa i përket përditësimit, në qoftëse njerëzit kanë me vazhdu me shajtë, do të ishte mirë me u përditësu se veshi nuk të pranon të shame si ‘’t’i q*fsha robët në varr’’. Mendoj, çka dreqin është kjo? Shko gjej për vete një frymëzim më të mirë fjalësh. Edukoje veten.”

E paramendoni një grua duke i thënë një burri “ta q*fsha babën” dhe kjo të merret si ofendim nga mashkulli? Për të qenë të sinqertë, opsionet sharëse për një grua ndaj një burri janë shumë të vogla nëse bëjmë krahasimin me shembullin anasjelltas.

Veç kësaj, të sharat në kulturën kosovare janë pjesë e pandashme e humorit. Një e sharë e mirë dhe e veçantë gjithmonë mund të ngjallë të qeshura në një tavolinë miqsh, duke krijuar ndjesi vetpërmbushëse te sharësi, e kjo pastaj shërben si ‘motiv’ për të përditësuar të sharën në forma më të sofistikuara duke e pasur në të shumtën e rasteve gruan si pikë referente.

Rreth kësaj çështje për Nacionalen ka dhënë verdiktin profesional sociologia Aurela Kadriu.

Kultura e sharjes është e pranishme në secilën shoqëri. Zakonisht, ata që janë më të pushtetshëm në shoqëri - atyre që ju shkon fjala, ndërtojnë sharje të cilat kryefjalë kanë grupe të ndryshme të margjinalizuara. Pra, këtu kemi një farë raporti pushteti, dikush e ndërton një të sharë në emër të dikujt tjetër, për shkak se ndihet superior ndaj atij individi apo grupi,” është shprehur fillimisht ajo.

“Këtu për ilustrim mund të marrim shembuj të sharjeve që në Kosovë më së shpeshti bëhen në baza racore e gjinore. Në ditët e sotme, kur kemi të bëjmë me një shoqëri ndoshta më të emancipuar, me grupe të caktuara që përpiqen për avancimin e të drejtave të grupeve të ndryshme të margjinalizuara, ata që vazhdojnë të shajnë mbi baza të tilla racore e gjinore rëndom gjejnë arsyetim tek justifikimi se ‘ky është humor’. Këtu këta të fundit dështojnë ta njohin rëndësinë e gjuhës në përcaktimin e sjelljeve njerëzore. Në mënyrë që të ketë përparim drejt arritjes së barazisë gjinore e shoqërore në përgjithësi, duhet në mënyrë aktive ta ndryshojmë gjuhën. Duke vazhduar t’i trajtojmë si humor këto nuanca të gjuhës sonë, ne e promovojmë një sjellje të caktuar shoqërore e cila është shtypëse për gratë dhe komunitetet e margjinalizuara. Prandaj, ata që refuzojnë të ‘bëjnë humor’ mbi baza racore e gjinore, shpesh shihen si ‘prishës të festës’. Por jo, prishës të festës në këtë epokë janë ata që nuk e njohin peshën e rëndësinë e përshtatjes së gjuhës krahas qëllimeve për arritje të qëllimit të fundëm - që është një shoqëri barazitare e gjithëpërfshirëse. Prandaj, jo, sharja nuk është humor, është vazhdimësi, mirëmbajtje dhe kultivim i qëndrimeve diskriminuese dhe gjithmonë bëhet nga pozita e privilegjit.”

Një e sharë e mirë do të shkonte për fundin e këtij artikulli, por sigurisht e kemi të vështirë të gjejmë një ku nuk përfshihen denigrimet seksiste, pasi është punuar fuqishëm që në ‘kulturën e sharjeve’ të imponohet një mendësi e përfshirjeve gjinore dhe çdo e sharë që nuk ka pikë referente atë, ‘nuk është qesharake sa duhet’.

Lajme të ngjashme