Fusha e mëllenjave: Pse Edi Rama po ngulmon që ta quajmë Kosovën "Kosova" e jo "Kosovo"? - NACIONALE

Fusha e mëllenjave: Pse Edi Rama po ngulmon që ta quajmë Kosovën "Kosova" e jo "Kosovo"?

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë gjithë kohës po i korrigjon ndërkombëtarët në shqiptimin e emrit të shtetit tonë. Nuk thuhet "Kosovo" por "Kosovë/Kosova" po pretendon ai. Pse një gjë e tillë ka rëndësi dhe çka thonë gjuhëtarët?

Në një vizitë në Londër, gjatë një debati në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ‘’Chatham House’’, kur Rama u pyet nga një ish-anëtar i Parlamentit Evropian për rolin e Shqipërisë në ndihmë të Kosovës (duke e shqiptuar Kosovo), Rama para se të përgjigjej, tha këto fjalë:

‘’Para së gjithash, nuk është ‘’Kosovo’’, por ‘’Kosova’’. Serbët e quajnë ‘’Kosovo’’ dhe ju qëndroni për pavarësinë e Kosovës. Nuk ke faj sepse propaganda e ka bërë punën e saj. Dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova!’’- tha Rama.

Por sa ka rëndësi nëse shqiptohet ‘’Kosovo’’ apo ‘’Kosova’’?

Nacionale ka kontaktuar me gjuhëtarët Rrahman Paçarizi dhe Nasuf Abdyli, dhe me shefin e Departamentit të Gjuhës Shqipe, prof. Bardh Rugova për të kuptuar në të vërtetë nëse ka ndonjë dallim, apo nuk ka rëndësi se si shqiptohet.

Paçarizi u shpreh se ka shumë rëndësi shqiptimi i termit ‘’Kosovë’’. Ai tha se ‘’Kosova’’ është në shqip, kurse ‘’Kosovo’’ është në serbisht. Shqiptimi i duhur është gjë që flet për perceptimin e identitetit nacional të vetë shtetit.

“Ka rëndësi shumë, pasi futja në përdorim e shqiptimit shqip “Kosova” në vend të serbisht “Kosovo” flet për percpetimin e identitetit të vet shtetit,” – tha ai.

Ndërsa në anën tjetër Abdyli tha se është ngulitur version sllav dhe përveç që në rrafshin ndërkombëtar nuk ka ndryshuar, fatkeqësisht versioni ‘’Kosovo’’ përdoret edhe nga vetë institucionet e Kosovës në dokumente apo mbishkrime në gjuhën angleze.

‘’Dallimi është i thjeshtë: Kosovo i thonë serbët, Kosova shqiptarët. Në gjuhën angleze dhe në gjuhë tjera të rëndësishme si gjermanishtja e frëngjishtja, fatkeqësisht është ngulitur versioni sllav i fjalës dhe ka pasur zëra e përpjekje në Kosovë dhe jashtë saj që kjo gjë të ndryshojë, por në rrafshin ndërkombëtar nuk ka ndryshuar. Fatkeqësisht, versioni "Kosovo" përdoret edhe nga vet institucionet e Kosovës, kur publikohen dokumente ose mbishkrime në gjuhën angleze," - tha redaktori lajmeve ndërkombëtare në gazetën Nacionale.

Bardh Rugova pati një përgjegjje të ngjajshme, ai tha se çështja është që shqiptimi të bëhet sipas popullatës shumicë.

‘’ ‘’Kosovë/a’’ është e gjuhës shqipe. Çështja është që shqiptimi të bëhet sipas popullatës shumicë. Ndërsa ‘’Kosovo’’ është e serbishtes’’- tha Rugova.

Çka thonë profesorët serbë lidhur me këtë çështje?

Sipas disa profesorëve serb të filologjisë, është shprehje e dëshirës që ndërkombëtarët të imponojnë në plan formën shqipe të emrit Kosovë, madje të paralajmërojnë përndjekjen e emrit serb nga terminologjia ndërkombëtare- raporton Kosovo Online.

Akademiku, filologu Aleksandar Loma tha se deklarata e Edi Ramës është shprehje e dëshirës për ta ndryshuar atë dhe të imponojë formën shqipe të emrit në rrafshin ndërkombëtar.

’Republika e vetëshpallur e Kosovës, ata që e njohin si shtet e përdorin termin serb ‘’Kosovo’’ ‘’- thotë Loma.

Ai gjithashtu rikujton se nuk është çudi, e asgjë e pazakontë nëse shqiptarët e Kosovës, do të kërkonin që emri Kosova të shqiptohej njëlloj të paktën në një pjesë të botës.

“Sot ne e quajmë Ceilonin e dikurshëm Sri Lanka, ish-Burmanë – Myanmar, ish Rodezinë – Zimbabve. Nuk do të ishte çudi nëse shqiptarët e Kosovës do t’i impononin emrin e tyre zyrtar të paktën një pjese të botës, qoftë Kosovë, ose ndoshta Dardani, pas trevës antike në territorin e Kosovës dhe Metohisë siç ka dashur Ibrahim Rugova”- tha Loma.

Kosova është një toponim serb që besohet se ka kuptimin e “fushës së mëllenjave”.

Lajme të ngjashme