Komuna dhe Sunny Hill: Festivali do të mbahet në Gërmi sipas planit
U duk se sërish u shfaqën telashe burokratike me festivalin Sunny Hill, i cili është paraparë të mbahet në Parkun e Gërmisë në fillim të gushtit - por ishte thjesht një tjetër episod i keqkuptuar, derisa për Nacionalen u konfirmua nga akterët kryesorë se festivali do të mbahet në datat e caktuara paraprakisht.
Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim 'ka anuluar pëlqimin' që ky lokacion të jetë nikoqir i Dua Lipës dhe bashkëpunëtorëve muaj, gjithnjë sipas grupit "Qytetarët aktivë" në Facebook, i cili ka publikuar edhe një dokument të vendimit.
Por, ky lajm është mohuar nga autoritetet relevante, për çka mund të lexoni në pjesën e fundit të këtij shkrimi.
Ndërkohë, më poshtë keni arsyetimin për anulimin e pëlqimit:
“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim sot me datën 28.07 ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit Sunnyhill në Peizazhin e Gërmisë. Qytetarët Aktivë kanë adresuar ankesën tek Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”, thuhet në përshkrimin që ky grup ia ka bërë njoftimit të Drejtorisë.
“Bazuar në nenin 53 pika 1 të Ligjit nr. 05/L-031 bëhet revokimi i pëlqimit nr. 07-353-/04-146960/22, me qëllim që lënda të trajtohet dhe plotësohet në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës nr. 03/L-233, si dhe rëndësisë kulturore të Festivalit Sunny Hill”, shkruhet në vendimin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Prishtinës.

Demantohet lajmi nga Komuna e Festivali
Sidoqoftë, Nacionale ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili ka demantuar lajmin, duke thënë:
"Jo, nuk ka asgjë të vërtetë (nga këto që thuhen). Festivali Sunny Hill do të mbahet në datat e caktuara".
Edhe zyrtari i festivalit, Alban Kastrati ka demantuar një lajm të tillë, duke thënë për Redaksinë:
"Është e vërtetë që kemi pasë pëlqim nga Komuna e Prishtinës dhe konform Ligjit, tani kemi edhe VENDIM për mbajtjen e Festivalit Sunny Hill".
“Sunny Hill” është përcjellur me aq shumë probleme këtë vit, saqë fansat e Dua Lipës, Diplos e Skeptës është dashur të përballen me ankth të vazhdueshëm “kur po kërset diçka tjetër”.
E ‘kërsitmja’ e fundit erdhi sot, vetëm pak ditë para mbajtjes së festivalit por që doli të jetë veç një ankesë tjetër, e që shpresoj të mbyllet me këtë, e më në fund të zhvillohet e të konkludohet festivali i cili u shndërrua në problem shtetëror e ndërshtetëror, madje me Shqipërinë që përfitoi nga krejt ngecjet buroraktike, duke fituar një edicion ‘Sunny Hilli’ edhe atje.
