Cili ishte çelësi i suksesit? Gazetari zë në kafene dy ministrat e Kurtit përgjegjës për kthimin e Sunny Hill
Ditë e madhe kjo për kulturën dhe popullin në përgjithësi, rikthimi i Sunny Hillit në tokën kosovare, pas zhgënjimit gjithpërfshirës nga zhvendosja e tij në Tiranë.
Mëngjesi i së hënës ishte i veçantë, më e pakta që mund të themi. Ishte e hënë e zakonshme, derisa nisjen nga Hajvalia drejt Prishtinës e nisa me shqetësime të përditshme se me çfarë teme do të merrem sot.
Në grupin e punës dikush dërgoi komunikatën që Përparim Rama e kishte bërë pak minuta më parë, e ku kishte zbuluar një kthesë tjetër sensacionale se Sunny Hilli rikthehet në Prishtinë.
Disponimi mori kahje tjetër - tash, përveç që u zgjodh problemi i temës së ditës, do të kisha mundësi të shihja nga afër Skeptën duke performuar pas lidhjes interpersonale me të përmes këngëve në YouTube.
Gjërat shkuan duke u përmirësuar edhe më shumë kur erdha në zyrë dhe një koleg tha se Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ishte në kafenenë 'Apartment', fare pranë zyrës, dhe po qëndronte aty së bashku me Ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi. Të dy këta, ishin ministrat përgjegjës për çështjen e Sunny Hill Festivalit.

Nuk hezitova dhe vrap shkova t'i takoja. Ishin aty, të dy. Dukeshin në disponim të mirë dhe festiv, edhe paraqitjen time dhe prezantimin e pritën mirë.
"Cili është çelësi i suksesit që na e kthytë Sunny Hillin?", e pyeta zotin Çeku, i cili të qeshurën e përcolli me pyetjen tjetër: "A është sukses?", për të nxitur një përgjigje nga unë "po, sukses i jashtëzakonshëm, se njëherë na thyet zemrën".
"A bon sot me na shku dita me u gëzu për suksesin e tani me folë për detajet?" ma ktheu Çeku, derisa Krasniqi nuk po përfshihej fare në debat, por nuk po e ndalte buzëqeshjen.
Pas këmbënguljes time për të zbuluar diçka më shumë, pasi "erdha nga zyra ekskluzivisht me ju taku", Çeku u shpreh:
"Marrëveshja është e përbashkët (mes MKRS) Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hillit, dhe gjatë javës kena me pasë një konferencë për shtyp të përbashkët, ku i shpalosim krejt detajet".

"A jeni marrë vesh për tokë, ku do të mbahet festivali?", e pyeta.
"Krejtësisht do të diskutohen sot dhe nesër. Nuk e di kur do të mbahet konferenca, nuk muj me folë në emër të krejtve. Mos më qit në pozitë të keqe, se e mbërrijtëm një sen, mos ta dëmtojmë.Sot le të jetë dita e suksesit dhe gëzimit, shumë shpejt do të dalim me krejt detajet në konferencë për shtyp." – u shpreh Çeku.
U ndava prej tyre mjaft i kënaqur që i kisha zënë bashkë dy ministrat e Kurtit përgjegjës për çështjen e Sunny Hill.
Largimi i Sunny Hill ishte bërë pikërisht për shkak të procedurave burokratike të ngadalshme dhe për shkak të – siç u tha – mosmarrëveshjes në lidhje me 17 hektarët në Bërnicë që duhej t’i jepeshin festivalit për 99 vjet.