Këta nuk janë “shaca” as “gërnaça” - ju prezantojmë gjeneratën e re të diasporës - NACIONALE

Këta nuk janë “shaca” as “gërnaça” - ju prezantojmë gjeneratën e re të diasporës

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Një artikull që lexova në median shqiptare në Zvicër “albinfo.ch” mbi disa komente racistë të zvierianëve për festivalin “AlbaFestival” dhe sesi gazeta “20 minuten” më pas kishte kërkuar falje, më ngjalli kuriozitetin për të parë më shumë për këtë festival. Bazuar në këtë premisë, krijova pritjen se do të shoh një festival të mbushur me “shaca” dhe me “gërrnaqa”, dy termet që për shumë vite kanë personfikuar dy grupe të ndryshëm të shqiptarëve që jetojnë në diasporë, më saktësisht në Gjermani e Zvicër. Në kërkim e sipër, rash në një reportazh të bërë nga gazetari Lindrit Zogaj në emisionin e tij origjinal “Rrugës për…”.

Dhe ajo që pash dhe mund të shihni edhe ju në këtë reportazh është diçka që kundërshton ose hedhë poshtë çdo paragjykim racist të zvicerianëve ndaj shqiptarëve por edhe paragjykim të kosovarëve në Kosovë për ata që jetojnë në diasporë.

Termi “shac” që në shqip ka kuptimin e “të dashurit ose dashurës” është përdorur nga kosovarët për të përshkruar një gjeneratë të shqiptarëve të diasporës të cilët kanë filluar të vijnë në Kosovë gjatë viteve ta para 2000 e tutje. Ata janë karakterizuar me një sjellje e cila ka pasur si qëllim kryesor “të tregojnë se janë të jashtit”. Prej mënyrën sesi kanë folur e deri tek sjellja nëpër klube nate.

Viteve të fundit, një tjetër term nisi të përdorej për të përshkruar një tjetër kategori të diasporës. Gazetari dhe komentatori politik Valon Syla, përdori fjalën “gërrnaq” për të përshkruar një grupacion të madh të shqiptarëve në diasporë, më shumë në kontektin politik, si kundërpërgjigje të angazhimit në debatin publik mbi “politikën në Kosovë”. Valoni, disa herë e ka argumentuar se ai iu referohej diasporës e cila nuk është as në Gjermani as në Kosovë, ose në pamundësi që të integrohen në vendet evropiane, i japin të drejtë vetës “të na tregojnë sesi duhet mbajtur shteti”.

Ajo që pash në reportazhin nga “AlbaFestival” nuk ka të bëjë asgjë me asnjërën prej këtyre dy termave. Ata njerëz të cilët i kishte takuar gazetari Lindrit Zogaj nuk janë as “shaca” e as “gërrnaqa”. Mijëra të rinj që ishin mbledhur në një hapësirë diku në Curih, për të dëgjuar këngëtarët, të gjithë shqiptarë, nuk e kanë dilemën se ku përkasin, e lërë më që të përfshihen në politikën e Kosovës.

Megjithatë ajo që është befasuese është sentimenti i nacionalizmit, si diçka që i përbashkon e jo si diçka që i dallon. Ata janë të integruar në Zvicër e Gjermani duke qenë të barabartë me gjermanët e zvicerianët, ndërsa përkatësinë etnike nuk e shohin si diçka që duhet treguar në çdo formë si kundërreagim i inferioritetit por si diçka që duhet festuar.

Kësisoj, kjo gjeneratë e re e diasporës është një kategori që nuk hynë në asnjërin prej dy termave pak tallës që i kemi krijuar ne në Kosovë. Vajza e djem të rinj në të 20-tat e tyre të cilët i kanë dhënë shkelm “marres” e “moralit” si dy veçorit të primitivizmit, duke i liruar ata nga ndjenja se “çka i takon djalit” e “çka i ka hije çikave”, ose si duhet të sillet një djal e një çikë “e mirë”. Pa marre për të dalë para kamerave duke u kënaqur.

Në një moment vet autori i emisionit, thotë diçka që e shpjegon më së miri këtë gjendje.

“Çka po vërejë është se s’po kanë komplekse, vet po vijnë edhe po folin gjë që në Kosovë goxha problem sidomos te çikat, e këtu krejt e kundërta. Kështu duhet me kon, pa komplekse. Unë po zhvendosna në Curih”, thotë ai.

“Vet ki mu kthy me pajisje nuk kthehna, i qesim pajisjet në aeroplan edhe mesim këtu”, ia kthen kamermani.

Por kjo nuk më mjaftoi për të shpjeguar këtë që dua ta shpjegoj. Andaj edhe vendosa ta pyes për më shumë shpjegime. Lindriti nuk pritoi dhe madje as nuk tenton që të fsheh “paragjykimin e një kosovari” për “shacat” kur ka shkuar në këtë festival. Kjo vërehet edhe në një pyetje “provokuese” që ai ua bënë dy vajzave.

“Nuk ia kam pas idenë se si do t'jetë ky festival. Mirëpo jam befasuar totalish për të mirë, si nga ana menaxheriale, mënyra e organizimit ashtu edhe nga publiku.Çka më ka befasuar më së shumti nga publiku ishte mënyra e komunikimit me ta. Ishin aq pa komplekse sa që e shijonin çdo moment. Këtë nuk e fshehnin as para kamerës, gjë që në Kosovë si ta shohin kamerën ikin”, thotë Lindriti.

Ai flet për diçka që ka vërejtur gjatë udhëtimit të tij. Ai vet ka jetuar si fëmijë për disa kohë në Gjermani, por shumicën e viteve e ka jetuar në Kosovë.

“Shqiptarët në diasporë janë tu u rritë me dy kultura të ndryshme. Në Evropë qytetarët nuk kanë komplekse siç i kemi ne në Kosovë. Që nga vegjëlia ata mësohen të jenë vetvetja, të thonë atë që e mendojnë, të veprojnë ashtu siç atyre ja u merr mendja. Gjë që në Kosovë ta ulin kryt për shumë gjëra për shkak të "marres"”, thotë Lindriti.

Kur e pyeta se pse edhe kjo gjeneratë ende e mbanë lidhjen e fortë me Kosovën dhe kulturën e muzikën që prodhohet nga artistë shqiptarë, Lindriti nuk ka një përgjigje definitive.

“Ende nuk muj me e ditë saktë se çka i bënë për vete Kosova. Sigurisht që familjarët janë një prej arsyeve por ndoshta është energjia që përçohet këtu”, thotë ai.

Kur e pyeta nëse ka ardhur koha që të mos përdorim më fjalët “shaci” dhe “gërrnaq” për ta përshkruar diasporën ai pati një përgjigje interesante.

“Nëse e përdor fjalën shac në kontekst të mirë, atëherë nuk e kisha ndërru, sepse është fjalë e lezetshme. Mirëpo e kisha ndërru fjalën “gërrnaç”, sepse as nuk po tingëllon mirë e as nuk po i përshtatet”, tha Lindriti.

Për këtë arsye, vendosa ta pyes edhe Valon Sylën. Por ai ende nuk i ka parë mesazhet. Sigurisht që ka një përgjigje interesante. Sapo të na kthen përgjigjet do t’i publikojmë. Ndoshta është koha për një debat të ri, me një qasje të re për diasporën.

Lajme të ngjashme