It's my home Prime: Për gati pesë orë asgjë nuk kishte kuptim
E kam parë emisionin “It’s my home” dhe ajo që dua të them është se ka një tendencë politike që të ndalet liria e shprehjes, veç pse ajo shprehje nuk na pëlqen. Edhe pse nuk e kam zakon të futem në thellësi të gjërave – sepse hej, kush ka kohë – do ta bëj një gjë të tillë për këtë emision, marrë parasysh popullaritetin e tij.
Konsiderohej i përjashtuar por qëndroi në shtëpi edhe për shumë ditë të tjera, derisa u vendos të rikthehej falë votimit. Në një moment tjetër dikush iu drejtua një tjetri "ti çka bën përveç që je i trashë?", ndërsa në një mini episod tjetër organizatorja mbron agresorin.
It's My Home ka marrë këmbët dhe atë vrullshëm në ditën e fundit të javës së parë, derisa ka ngritur njëqindenjëmijë diskutime në shoqëri, e cila ka vënë pikëpyetje mbi gjithçka e çdo gjë që ndërlidhet me spektaklin dhe të përfshirët në të.
E drejtë të them se asnjëherë nuk kam qenë shumë i ekzaltuar t'i bashkohem valës së gozhdimit të It's My Home dhe emisioneve paraprake, ani pse në shumë raste ka pasur zhvillime njëmend shqetësuese.
“Fushata kundër “It’s my home” është e padrejtë. Big Brother si koncept nuk dallon kurrgjë për të mirë, përveç që kanë tesha më të shtrenjta. “It’s my home’ është reality show, e realiteti i jonë është ai. Kërkush s’ka nevojë me u ni i ofendumë. Liria e shprehjes i përfshinë edhe ata. Thjesht mos i këqyrni, kurse KPM nuk guxon me u instrumentalizu,” – shkruan Berat Buzhala në një status, të cilit nuk do t’i hiqja asnjë pikë e asnjë presje.
Banorët në shtëpinë modeste vijnë me llojlloj prapavijash, segmentesh e shtresash sociale kosovare.
Kurrë nuk e kam pasur fort të qartë pse kjo inciativë kaq potente për të denigruar gjithçka që ndërlidhet me këtë emision e këtë shtëpi, që duket se ka një milion papërsosmëri rëndom si çdo tjetër.
Fundja, gjithkush e ka të drejtën e garantuar ta turpërojë veten në lloje dhe forma siç i shkojnë për shtati atij.
Kompleksi që vjen në formën e tentativës për të fshehur ose për të mohuar se ajo çka shohim në It's My Home është në fakt ajo çka përfaqëson shoqëria jonë, i jep edhe më shumë këmbë faktit se jetojmë në një shoqëri konservative ku gjithçka dhe gjithkush mbahet përgjegjës nën një rregullore strikte të pashkruar se si duhet të sillemi nëse duam të evitojmë stigmën gjenerale.
Do të faleshit po të harronit se programet që trajtojnë probleme që në një shoqëri të edukuar mund të konsiderohen "të ulëta", kanë qenë pjesë edhe e vendeve e demokracive shumë më të konsoliduara e të pushtetshme se kjo e jona fragjile e në tranzicion.
Spektakli me Jerry Springer që trajton probleme nga më të çmendurat sociale ka qenë prezent dhe atë me prestigj të madh nëpër televizionet amerikane për jo më pak se 27 vjet.
Mos të flasim për Big Brother në Brazil dhe shtetet tjera të Amerikës Latine ku ndodh gjithçka e çdo gjë që do ta bënte shoqërinë tonë t'i shkulte flokët nga frustrimi.
Pasi kisha parë shumë klipe e madje e kisha përcjellur herë pas here shtëpinë, e cila njëmend merr qindra mijëra klikime e shikime, ishte koha të shikoja natën kryesore. Ajo që It's My Home e quan "Prime".
E drejtë të themi se njëqindenjëmijë gjëra nuk ishin në rregull dhe njëmend po më jepte siklet të paparë.
Në momentet hapëse të spektaklit, prezantuesja e It's My Home Prime elaboron konkurrentin 'Angjelo', i cili thotë se është hedhur në votim për shkak se kishte përdorur dhunë javë më parë ndaj një konkurrenteje tjetër, të cilën e kishte gjuajtur me njërën prej të mbathurave.
Mirëpo, vetëm disa momente më vonë, prezantuesja zbulon një detaj tjetër rreth "Angjelos", i cili thotë se "është vendos që është i përjashtuar prej këtij emisioni dhe duhet të votoni prej nga ky moment se a doni ta ktheni në atë shtëpi apo jo".
Hmm... gjithçka do të ishte më e qartë për mua e mijëra të tjerë që po e shikonin direkt po të dilte se në fakt 'Angjelo' si "i përjashtuar", tashmë ishte jashtë shtëpisë dhe në pritje të fatit nëse do të rikthehet.
Ishte e çuditshme të kuptoja se ai në fakt ishte brenda shtëpisë dhe kishte qëndruar aty edhe pas sulmit ndaj konkurrentes tjetër. Domethënë personi thuhet se ishte përjashtuar, ani pse qëndronte ende në shtëpi dhe kishte qëndruar tërë kohën dhe tash hapej një votim i ri ku publiku do të vendoste nëse donte "ta kthente" në shtëpi.
E çuditshme, apo jo? Për më tepër, transparenca e këtyre votimeve gjithmonë ka qenë një prej pikave më të dobëta të spektakleve të tilla, përfshirë Big Brother.
Tutje, gjatë spektaklit prezantohet një klip ku shihet konkurrenti me emrin "Luli" derisa sulmon verbalisht një grua. "Boll mo, mshele. Mshele gojën", i thotë ai, derisa i afrohet te fytyra.
Një konkurrente tjetër ai e përzë nga tavolina, duke i thënë "ik atje, mos m'hajde këtu", në skena në të cilat është e pamundur të mos ndjesh keqardhje për viktimat.
Sidoqoftë, i njëjti është përjashtuar nga spektakli pasi "ka thyer rregullat" e programit.
Ajo që dukej goxha e sikletshme e shqetësuese për mirëqenien e banorëve dhe familjarëve që shikojnë nga prapa, ishte mënyra jashtëzakonisht e brishtë si denoncoheshin të bëmat e "Lulit" nga disa prej konkurrentëve dhe analistëve.
Me një anë drejtuesen e emisionit e cila ishte më e zëshmja, për aq sa kishte mundësi e potencial, kundër të bëmave të personit me emrin "Luli", banorë të tjerë e mbronin duke e arsyetuar se banorja tjetër (viktima) e ka provokuar personin në fjalë, duke legjitimuar pothuajse njëzëri aktet qartazi johumane të zotëriut në fjalë.
Edhe më shqetësuese ishte mënyra si i qasej viktimës organizatorja dhe analistja e emisionit me emrin Antigona, e cila e pa të arsyeshme të kritikonte tutje viktimën e sulmeve verbale të "Lulit".
Derisa viktima (grua) po kundërshtonte e po luftonte me të tjerët që çuditërisht po i dilnin krah "Lulit", zonja me emrin Antigona mori fjalën për t'u shprehur: "Je tu kriju një kakofoni. Je tu folë përmbi të tjerët. Ju ka dhanë fjala Krisë kurse ti po përzihesh. M'i thonë dikujt je niveli zero, është ofendim si gjithë ofendimet tjera".
Gjithçka rreth mënyrës si po zhvillohej narracioni dhe si po trajtohej në transmetim direkt një rast i dhunës verbale ndaj një gruaje, ishte absolutisht shokuese.
Siklete dhe shqetësime monumentale për mirëqenien e të përfshirëve dhe për mënyrën si po legjitimohej apo relativizohej dhuna edhe nga dikush që ishte organizatore e krejt programit, pasuan.
Vërehej qartë një mungesë e theksuar e profesionalizmit. Në kontrast, shembull, me Big Brother VIP, në Shqipëri që u mbajt së fundmi, ku luftohej fuqishëm me tërë mekanizmin organizativ bullizmi, seksizmi e fenomenet e tjera problematike.
Ndodhi çka ndodhi dhe një humorist në rolin e një gruaje "Sofia" u fut në shtëpi me qëllimin për t'i zbavitur banorët.
Në një moment, një banore me emrin "Ina" i tregon atij se është në marrëdhënie dashurie jashtë, pas ngulmimeve të vazhdueshme të "Sofisë" që të fillojë diçka me një konkurrent tjetër.
"Sofia" pasi e kupton se "Ina" është në marrëdhënie jashtë, i drejtohet: "Mos e provoko djalin prej këtuhit. A po ninë? Ki kujdes qysh po veshësh se djali provokohet prej këtuhit."
Këto këshilla vinin nga "Sofia", e cila në fakt ishte analisti i emisionit në rol. Domethënë, reagime e këshilla të tilla në emisone si ky It's My Home vijnë edhe nga persona përgjegjës për organizim e analiza të të bëmave brenda shtëpisë.
Me pak fjalë ishte shqetësuese dhe e sikletshme të shikohej më shpesh se rrallë, derisa vërehej qartë mungesa e profesionalizmit dhe eksperiencës. Aspekti dhe përmbajtja më shqetësuese nuk ishin banorët por në fakt organizatorët që vinin në formën e "Antigonës", e cila dukej se ishte tejet selektive dhe kishte pak vullnet të bënte më shumë kundër shtypjes së të përfshirëve.
