"Bukë e Zemër": Isha te restoranti ku Albin Kurti han speca djegës, çka më thanë e si më shërbyen? - NACIONALE

"Bukë e Zemër": Isha te restoranti ku Albin Kurti han speca djegës, çka më thanë e si më shërbyen?

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

… s’ke edhe fort djegës.

Etiketohej shpesh si vend pro VV e që drejtohet nga simpatizantë të kësaj partie, por "Bukë e Zemër" po del të ketë një storie interesante prapa, dhe këtë e zbulova pasi shkova ta vizitoj për një "mëngjes kryeministrash".

Me lokacion në Rrugën "Nazim Gafurri", përballë parkut që njihet si "Taukbahçe", "Bukë e Zemër" ka funksionuar si vend për ushqim (mëngjesi) tradicional prej vitit 2020. Më herët kishte funksionuar edhe si furrë buke, madje me Linda Muharremin (pronaren e restorantit) që thotë se është "furraxhikja e parë grua" në vend.

Një korridor me shkallë për ngjitje e zbritje të pret me t'u futur në ndërtesën e restorantit me një emër goxha mishërues për popullatën e shtypur dhe të varfër historikisht të Kosovës.

"Bukë e Zemër" mund të tingëllojë si emër i njohur për ju pasi ka qenë lokacion nikoqir për ngopje i plot figurave të njohura politike, përfshirë më mbamendshëm kryeministrin Albin Kurti dhe të dërguarin special të BE-së për bisedime, Miroslav Lajçak. Qe një foto e këtyre dy të fundit duke ngrënë në "Bukë e Zemër".

Dyshja, është shumë e mundur, ta ketë devijuar diskutimin nga serioziteti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, te pogaçaja brilante që shërbehej në formë zemre te ky restorant, jo i zakonshëm për nga përmbajtja e menusë me restorantet e rëndomta.

Pak minuta pas uljes, u shfaq shërbyesja me menu, ndërsa unë nuk isha fort i interesuar të analizoja shumë, teksa e pyeta "çka han Albini?"

"Speca djegës," ma ktheu, ndërsa më zbuloi një storie interesante nga një ngrënie e Kurtit aty.

"U kon ni fore me qëta speca t'djegës," tha ajo fillimisht, derisa unë po i bëja veshët katër.

"Ishin ashtu krejt (ekipi i kryeministrit) edhe po thotë Albini 'a po e shini këtë spec, ky është i djegëst. Eh qeky jom unë'," për të nxitur të qeshurën time, që po mundohesha ta ndërlidhja këtë monolog interesant me ndonjë mesazh politik, si një gazetar i mërzitshëm dhe frustrues që mund të tingëllojë herë herë.

Doja gjithçka që kishte porositur Kurti ta kisha mbi tavolinë, të paktën në mënyrë interpersonale, qoftë edhe nëpërmjet ushqimit, të ndjeja atë që potencialisht kishte mundur të ndjente i pari i qeverisë në ngrënie e sipër. Ndjesë për obsesionin, por thjesht nuk po mund ta ndihmoja veten.

Pa kaluar as dy minuta nga porosia, te tavolina na u shfaq një zonjë e cila u prezantua si pronarja (Linda Muharremi), teksa u shpreh “ah ju gazetarët e Nacionales paskeni ardhë a?” Nuk e kisha idenë si u kuptua, ndoshta ngrita flamur të kuq kur kërkova të më shërbehej gjithçka "qysh ia shërbeni Albinit".

Zonja i pati dy ankesa. Thoshte që lokali është në emër të birit të saj, i cili e pranoi se është simpatizant i VV-së, por që është ajo realisht e cila përkujdeset për gjithçka dhe çdo gjë rreth restorantit. Në fakt, ajo po na tregonte se si disa shkrime të Nacionales, të cilat e kishin etiketuar restorantin si të një njeriu të afërt me Kurtin (sipas saj), nuk qëndronin pasi biri i saj ishte thjesht një fans i thjeshtë, i cili kurrë në jetë madje as nuk e kishte takuar kryeministrin.

Tutje, ajo po më tregonte dhe po më mbante përgjegjës si nuk kemi shkruar edhe për anëtarë të partive tjera që kishin vizituar këtë vend, si, shembull, Uran Ismajli.

Megjithatë, ndërkohë m’u kujtua se Nacionalja funksionon që nga marsi i vitit 2022 – së këndejmi, vështirë se mund ta lidhim me diçka relevante emrin e Uranit.

Sidoqoftë, derisa zonja po na sqaronte pakënaqësitë e saj (në mënyrë miqësore dhe të kulturuar), unë kisha harruar ta lëshoja orën matëse për vonesën e porosisë, siç veproj gjithmonë. Se mos ishte ky ndonjë plan gjenial i Lindës për shpërqëndrim nga ajo që kishte njëmend rëndësi dhe për të cilën isha aty në rend të parë. Apo ndoshta thjesht po e mbimendoja gjithçka… dhe po e bëja veten më të rëndësishëm se që isha?

Dhe ja ku ishte. Omleti me speca djegës, një enë me atë që quhej “babaganush”, “bakllasarma”, djathë, tarator, ullinj, ajvar.

Omleti ishte dinjitoz, ndërsa speci nuk ishte edhe fort djegës, dorën në zemër. Ndoshta edhe pritshmëritë dhe standardet që kam vendosur për diçka si speci i djegës, janë përtej atyre që i ka kryeministri.

Për të mos e bërë shumë të mërzitshëm artikullin, qe edhe një foto e Kurtit me dashamirë dhe kolegë (nuk jam gazetar i politikës për t’i identifikuar të tjerët) në “Bukë e Zemër”.

Pogaçja, përveç shijes fantastike, po shërbehej në formë zemre, në një episod që absolutisht po e dashuroja. E kuptoni, “bukë e zemër” dhe pogaçja tash po vinte në formë zemre.

Djathi, ajvari krejt produktet që ishin mbi tavolinë, përfshirë çajin e rusit, nuk ishin nën nivelin e shijshmërisë që e kanë kur i hamë në shtëpi.

Kështu, përfundova i ngopur, potencialisht qysh ka mundur të përfundonte edhe Kurti – fundja, i kishim ngrënë saktësisht të njëjtat produkte dhe pjata. Tash, po ndihemi sikur kam shumë të përbashkëta me të.

Nuk ka vlerësim kësaj radhe pasi shkova për diçka dhe përfundova me ndjesi krejtësisht tjera, larg yllave (qëllimisht nuk po them “yjeve”, për të evituar çdo ngjashmëri me Big Brother) e notave. Sidoqoftë, “Bukë e Zemër” e rekomandoj fuqishëm për vizitë për një vakt mëngjesi.

Lajme të ngjashme