Gëzuar 2023: Qe kënga më e mirë dhe më e keqe e vitit 2022
Pas dhjetëra, për të mos thënë qindra materialeve të publikuara gjatë vitit 2022 nga pjestarë të skenës muzikore kosovare, dhe dhjetëra artikujve të tjerë në Nacionale me qëllimin e vetëm për të krijuar mekanizëm për llogaridhënie në shërbim të interesit publik, është e natyrshme t'i vë kapak 2022-tës me një ku përzgjedhi këngën më të mirë dhe më të keqe të vitit.
Meqë është periudhë festive, po e nisim me pozitivitet për të shkuar fillimisht atë që ishte absolutisht më e mira e 12 muajve që po i lëmë pas.
Parasysh janë marrë vetëm artistët e elitës së estradës, përndryshe, nëse do të kishte kritere tjera, edhe përzgjedhjet potencialisht do të dallonin.
Kënga më e mirë e vitit
Era Istrefi - TKRKT
Absolutisht prej këngëve të vetme në shqip që jam rikthyer për ta ridëgjuar dhjetëra herë. Teksti, melodia dhe disponimi që më japin janë të pakrahasueshme me ato çka jam shërbyer nga të tjerët. Ishte një rikthim jashtëzakonisht i fuqishëm nga Era derisa "TKRKT" erdhi dy muaj pas "BEBE", si kënga e dytë në kanalin e saj personal në YouTube që nga viti 2014.
Ndoshta, refrenin aty-këtu e bëj “skip” pasi nuk besoj se qëndron në të njëjtin nivel me pjesët tjera të këngës, por – mbi të gjitha – ishte një e duhur për të krijuar kontinuitet pas një aventure të dështuar jashtë kufijve.
"Po du me t'feel on my body, njoni u ngulë n'mu si n'çoço, po don me investu n'mu si kripto" - absolutisht e dua. Për muaj të tërë nuk mund ta hiqja nga koka.
Nëse jo “TKRKT”, Era do të ishte përsëri në konsiderim për më të mirën e vitit me “5am”, e cila ishte menjëherë pas “TKRKT”. Era, me tre-katër këngë këtë vit të publikuara në kanalin e saj në YouTube, absolutisht mbishkëlequ të tjerët dhe të tjerat. Duhet thënë se gara për këtë epitet për të mund të ketë qenë paksa më e lehtë pasi Buta u desh të bënte një pauze të gjatë nga muzika për shkaqe mirë të dokumentuara, me ferizajasin që rrallëherë, për të mos thënë fare, bën huqje.
Në anën tjetër, Mc Kresha dhe Lyrical Son, përveç albumit, me të cilin jemi marrë ndaras, kanë qëndruar po ashtu të heshtur. Sidoqoftë, Mc Kresha aktualisht është në përgatitje të albumit të ri kështu që kemi më shumë për të pritur në vazhdim. Shpresojmë të ketë diversitet producentësh në projekt kësaj radhe.
Kënga më e keqe e vitit
Kida ft Ledri Vula – Tdu
Po, realisht pas një rishikimi të gjatë e të lodhshëm nuk mund të gjeja një më të keqe se kjo. Në fakt, nëse do të shkoja për ndonjë zgjedhje tjetër, vështirë se prapë do të mbetej jashtë Kida.
Ajo që e bën këtë këngë më legjitime se tjerat të fitojë këtë epitet, është fakti se kemi të bëjmë me performim konsistent të tmerrit që nuk ndalet fillim e fund, interpretuar në sfond të një biti gati neveritës – por jo që do të ankoheshin shumë 26 milionë shikuesit që e kanë parë e klikuar, sipas të dhënave në YouTube.
Klipi në fjalë fillon me ca pamje ultra klishe të një varke duke lundruar në det, e xhiruar nga droni, para se të futet në skenë Kida në një peisazh pothuajse identik me atë të vitit të kaluar... e dini për cilin e kam fjalën, "unë Coca Cola e ti Pepsi".
Fokusi i klipit kokë e këmbë në interpretuesen dhe veshjen e saj jashtëzakonisht të mbi-bërë, me ngjyrë të gjelbër. Vargjet që thuhen pastaj janë thjesht gjithçka që një njeri i rëndomtë nuk dëshiron të dëgjojë, por që ka qenë i detyruar dhe i imponuar ta bëjë vazhdimisht në kush e di sa vitet e fundit.
Nëse diçka të tillë si kjo e gjej të sikletshme ta komentoj, si t'i qasem pjesës "A, B, C, D... s'po di ça me thonë se m'ke lonë edhe pa shkronja", që Ledri fjalëpërfjalshëm e thotë në një këngë e cila, deri në kohën e këtij shkrimi, ka marrë 281 mijë klikime, por që nuk janë numra as të përafërt me ato që do të vijnë në vazhdim, pasi ky klip është publikuar para vetëm 10 orësh.
Derisa po e dëgjoja, në mesin e krejt sikletit që të shkaktojnë recitimi i shkronjave "A, B, C, D" në një këngë që do ta dëgjojë bota, ka edhe mungesë saktësie në injorim brutal të një shkronje jashtëzakonisht të rëndësishme në alfabetin e shqipes siç është "Ç"-ja jonë e famshme. Sigurisht, Vula duhet të ketë menduar anglisht kur e ka shkruar atë pjesë... nëse e ka shkruar, apo ndoshta thjesht nuk e pëlqen ta thotë ç-në e fortë. Ndoshta, është kompleksuese për të ta thotë pasi mund ta shqiptojë si "q" të butë... nuk e di, lëmsh i vërtetë, nuk di çka të mendoj më përpara.
Kjo është e gjitha për këngën më të mirë dhe më të keqe të vitit, ndërsa në vitin 2023 po futemi me një lajm interesant sa i përket skenës muzikore. Sipas raporteve nga mediet që merren ekskluzivisht me shoubiz, shembull “Prive”, Mc Kresha dhe Ghetto Geasy po përgatisin një bashkëpunim. Nuk jam shumë i sigurt si të ndihem rreth kësaj, marrë parasysh pikat ku qëndrojnë këta dy artistë aktualisht në karrierë, por është definitivisht një për ta mbajtur njërin sy e vesh në të.
