Arlind Gjikolli: një prej pionierëve të hip-hop kulturës lë prapa një trashëgimi përjetësisht mbamendëse - NACIONALE

Arlind Gjikolli: një prej pionierëve të hip-hop kulturës lë prapa një trashëgimi përjetësisht mbamendëse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në moshën 40-vjeçare, ish-reperi Arlind Gjikolli i njohur gjërësisht me nofkën "Gjikla", ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër, me të cilën u përballë së fundi.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vjosa Loci Gjikolli ka dhënë njoftimin për lajmin e trishtë.

Rreth vitit 1996/97, Gjikla i ishte bashkuar grupit "WNC", i cili përbëhej nga një grumbull të rinjsh nga Peja që padyshim ishin në mesin e nismëtarëve të hip-hop kulturës në Kosovë.

Ndër vite, ky grup krijoi famë të kënaqshme në audiencën shqiptare, duke krijuar këngë e albume të cilat kanë trajtuar llojlloj tema.

Gjikolli, si pjesë e WNC (White Ni**as Clan) kishte marrë pjesë në festivale si Kënga Magjike, madje duke kontribuar me album me këngë hip-hop, në kohën kur albumet kanë qenë të rralla, për të mos thënë inekzistente në muzikën kosovare.

Albumi "Pse" do të mbahet mend përjetësisht nga gurmanët dhe dëgjuesit e flaktë të hip-hopit, sidomos nga ata të gjeneratave më të hershme.

Të dëgjojmë tash këngë nga “WNC” është një kthim nostalgjik prapa në kohë, me këngë e tema të cilat nuk ekzistojnë më në hip-hopin modern.

Sigurisht, nuk kanë shumë nevojë për prezantim këngët si "Çka Kom Pasë" e "Çikat e Mira".

Në një dokumentar të quajtur "Unë jom Hip-Hop", Gjikolli tregon për hapat e parë të tij në botën e kësaj rryme, derisa thotë: "Sendi (kënga e parë) që kemi bo ka qenë 'rima të ndaluara'. Qaj osht sendi i parë ku ka knu Gjikla", reflekton Gjikolli.

Mirëpo, Gjikla pati momentet e veta ikonike edhe si reper solo. Në mbamendjen e secilit fans të hip-hopit sigurisht është kënga legjendare me ikonën e këtij zhanri, Unikkatil, të quajtur "Shuj".

Ca prej rreshtave të tij më të famshëm nga kjo këgë, mbeten:

"Sendet e mira vijnë kadal/dal ju kom thonë.

Ju tonë u ngutshit e tutshit mos po mbetni vonë".

Për më tepër, Gjikla kishte shprehur revoltimin e tij publik kundër klasës politike me këngën "Juda" ku, ndër të tjerash, shprehet: "unë paguaj tatim, a ata t'u i mbushë kuletat".

Në dokumentarin "Unë Jom Hip-Hop", Gjikolli tutje tregon ngritjen e menjëhershme të grupit WNC dhe rritjen e numrit të kërkesave për performancë, marrë parasysh se atë botë ishte edhe ashtu prej grupeve të vetme.

"Kur e kena bo albumin e parë nuk e kena ditë që kena mu bo ma të famshëm. Na jena konë, në atë vakt, grupi i vetëm rep që u lypë prej çdo kampanje, çdo lokali - na jena grupi i parë që e kanë kontaktu për me këndu.

Gjikolli në dokumentarin në fjale gjithashtu zbulon zhgënjimin e tij me shkollën e re të hip-hopit, të cilët kanë hezituar t’i ftojnë në koncerte vite më vonë, pavarësisht se grupi WNC në fakt kishte kontribuar në ngritjen e tyre duke i ftuar në koncerte artistët e rinj aspirues.

Më tej, ai tregon se si ka qenë tejet e vështirë për grupin të performojë jashtë vendit atë kohë, për shkak të kostos së udhëtimeve e fluturimeve, sidomos edhe për faktin se kishim të bënim me një grup që përmbante pesë anëtarë.

Gjikolli, padyshim, do të lë një bagazh të pasur inspirues e motivues për gjeneratat e tjera, e neve na mbetet të reflektojmë e të vlerësojmë të bëmat e tij nga e kaluara.

Lajme të ngjashme