"E rrehën edhe mjekët se s'u rrike": Pse humori i zi në Kosovë është kaq servil ndaj të fortëve?
Në një grup të quajtur “Dosja” në Facebook po satirizohet këto ditë dhuna ndaj gazetarëve pas rastit të rrahjes së Valon Sylës afër një restoranti në Prishtinë. A është në rregull të satirizohet me dhunën?
“Valoni (Syla) gjendjen e ka stabile, qe sa e rrehën edhe mjekët se s’u rrike!” – thuhet në një postim ku duket gazetari Leonard Kërquki nga QKUK-ja. Pra, ideja është që Leonard Kërquki ka thënë këto fjalë. Dhe se, të rrahësh Valon Sylën është sikur të bësh ndonjë aktivitet argëtues kur nuk të rrihet.
Ky postim ka marrë më shumë se 1200 reagime.

Në një postim tjetër, shkruhet “Mblidhet Këshilli i Sigurisë së “gazetës” Nacionale në krye me Mulla Shtapiqin.” I përcjellur me një fotografi nga një debat i disa gazetarëve të Nacionales. Ideja ishte që po debatonin për dhunën ndaj gazetarëve. Përsëri thelbi i kësaj çështjeje përsëri është dhuna.
Shumica e këtyre postimeve kanë një drejtshkrim të ngjashëm me atë të Tomë Gashit, i njohur për gabimet e shumta në të shkruar. Prandaj, vetëm mund ta marrim me mend se çfarë vlerash shtypëse kanë përdoruesit: homofobi, racizëm, seksisëm dhe servilitet ekstrem.

Humori i zi
Humori i zi ka parë një përhapje të madhe në rrjetet sociale të Internetit viteve të fundit në Kosovë. Por, fatkeqësisht në shumë raste po përdoret për të përqeshur personalitete të ndryshme duke lënduar njëkohësisht edhe persona nga grupe të margjinalizuara.
Përveç “Dosjes’ ekzistojnë edhe grupe tjera si “Shërbimi Informativ i Kosovës – BBK News” e të tjera.

Sipas fjalorit të Cambridge-it, humori i zi është “mënyrë argëtuese e të parit apo trajturit të diçkaje që është serioze apo e trishtë”.
“Paradoksi është që – nëse satira synon reformën morale të një shoqërie të caktuar mund të jetë efektive vetëm brenda asaj shoqërie, dhe për më tepër, vetëm nëse ka një hierarki etike të pranuar gjerësisht.” – shkruhet në një artikull të BBC-së.
Kush sulmohet nga fotografia e mëposhtme?

Janë pikërisht vlerat shtypëse shoqërore, përfshirë edhe dhunën ndaj personave më të lëndueshëm të shoqërisë që qëndrojnë në majë të asaj hierarkie etike. Të kënaqësh të fortin duke sulmuar të dobëtin – siç bëjnë shpesh këto grupe - është definicioni i servilitetit edhe sipas fjalorit të gjuhës shqipe.
Në këto grupe të humorit të zi në Kosovë është e zorshme të gjeni ndonjë tallje ndaj grupeve të pushtetshme shoqërore siç është grupi i heteroseksualëve kur flasin për heteroseksualitetin e tyre, grupi i shqiptarëve kur flasin për etninë e tyre, grupi i muslimanëve kur flasin për fenë e tyre, grupi i burrave kur flasin për gjininë e tyre etj.
“Problemi është që, humori i zi që e shohim në kohët tona, që dikur nisi si kritikë cinike ndaj sistemeve më të mëdha, është bërë tash një garë se kush do të jetë më ofendues ndaj grupeve minoritare si kolateral.” – shkruhet në një artikull tjetër mbi këtë çështje të titulluar “Humori i zi nuk të bën për të qeshur”.
