Dafina Zeqiri duhet të studiohet nga gratë e estradës: Ajo çka bën e thotë te kënga e fundit është gojëhapëse
Absolutisht krejt çka dua të dëgjoj nga tash e tutje është ajo çka thotë e bën Dafina Zeqiri te kënga që sapo e publikoi, në bashkëpunim me Young Zerkan dhe Mc Kreshën, ofruar nga Dj Geek.
Realisht, do të duhej të gërmoja thellë dhe vëmendshëm në tentativa për të gjetur ndonjë këngë ku Dafina Zeqiri nënperformon, por copëza e saj te kjo që e quajtën "Nafije (Remix)" është njëmend një që do ta ridëgjoj, e në plot raste duke shtyrë butonin te pjesa kur futet "Duffye".
Në fakt, me të dëgjuar herën e parë, obsesioni për pjesën e Dafinës filloi të vetëkrijohej natyrshëm, jo se Zerka ishte inferior, megjithatë.
Young Zerka e fillon duke bërë atë që bën zakonisht, e që është të sjellë tinguj regedon, duke i shtruar rrugë futjes absolutisht monumentale të Zeqirit. E pjesa e kësaj të fundit përmbajtësisht sa i përket lirikave nuk është aq impresive, në fakt, dukshëm më inferiore se pjesët e dy bashkëpunëtorëve të saj, por prapë arrin t'i mbishkëlqejë. Kjo e bën gjithçka edhe më gojëhapëse.
Vetëm analizoni si duket më poshtë... asnjëherë nuk jam ndjerë legjitim për të komentuar veshjet e grave nëpër klipet e estradës (përveç kur janë dukshëm të tmerrshme apo dukshëm impresive), por Dafina mbetet sinonim i dukjes flutur kudo që shfaqet.

Dhe te kjo e fundit po ashtu qëndron në hap me reputacionin, derisa nuk heziton të shfaqë armën e saj më të fortë e që është "delivery" i pakapshëm dhe aspekti që e ka distancuar nga krejt gratë tjera të estradës. Po të isha në konkurrencë me të në këtë profesion, do të kisha shumë arsye për t'u shqetësuar. Sinqerisht, vështirë ta shohim dikë tjetër mbi të.
Mendoj, vetëm analizoni mbylljen: “Nëse doni dedikoni ju strofa për mu, kot e keni jo sme han mu b*tha, b*tha”, është pjesa mbyllëse e saj, por e performuar me një gjest që do t’iu bëjë ta riktheni përsëri për ta ripërjetuar kënaqësinë që e përjetuat herën e parë.
Sinqerisht, njeriu e mbishkëlqen edhe Mc Kreshën, entuziazmi rreth të cilit është në rënie të lirë, pasi – për fatin e tij të keq – futet në skenë pas të bëmave për ngritje vetullash të performueses paraprake. Në këtë kauzë nuk i ndihmon as versi mediokër, i cili ke ndjesinë se është ribërje e një morie të tillë sa i ka reperi mitrovicas.
Klipi ka po ashtu ka specifika interesante dhe realisht nuk ju irriton kur e shikoni. Ngritje kapelash për “Entermedia”. Do doja të shihja më shumë momente në xhirim të ngadalësuar si më poshtë – një metodë apo mënyrë krijimi që nuk e shohim shpesh nëpër klipet kosovarë, për çfarëdo arsye, por që është jashtëzakonisht prezente në industritë muzikore të huaja.
