Çka ndodh nëse porositë fanta në Bon Vivant?
Ekziston një ndjesi gjenerale në popull se fanta nëpër lokalet e Prishtinës, nuk porositet. Apo ashtu të paktën ka qenë deri vonë. Por, çka ndodh nëse e porosisni në lokalin më ekskluziv të kryeqytetit?
Kompleks inferioriteti apo ndoshta thjesht Prishtina duhet të ketë veçoritë e veta dalluese nga qytetet tjera, dhe porositja e fantës nëpër lokale është gjetur si një prej atyre që e bëjnë këtë qytet me plot katunde përreth si më unik nga të tjerët.
Sidoqoftë, unë sot e kisha ndërmend ta testoja mitin e pushtetshëm kosovar dhe shkova te kafiqi më ekskluziv në Kosovë, "Bon Vivant", i cili gjendet në rrugën "Rexhep Luci", në qendër të qytetit.
Jo pak i njohur është ky lokacion për të bëmat dhe zhvillimet problematike në të kaluarën. Fillimisht, më 13 tetor të vitit 2014, në këtë lokal kishte humbur jetën ish-roja e këtij lokali, Rrahman Uka, për vrasjen e të cilit janë dënuar me 25 vite burg të shpallurit fajtorë Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.
Ditë më parë po ashtu u raportua për një incident, ku disa persona kanë hyrë në lokalin në fjalë dhe kanë demoluar disa tavolina.
Sidoqoftë, unë isha i vendosur të shkoja dhe të testoja mitin e fantës nëpër kafiqat e Prishtinës.
I pajisur me një kamerë dore, lehtë për ta kamufluar, u futa brenda dhe ndjeva një pritje goxha të ngrohtë.
Dy apo tre punonjës më përshëndetën përgjatë rrugës deri te tavolina. Ambient dinjitoz, mendoj se ishte inferior ndaj Somas sa i përket enterierit brenda (ndoshta është çështje shijesh) por dukshëm superior sa i përket pritjes dhe sjelljes së stafit.
Çka ndodh kur porositë fanta?
Epo, atëherë kështu... pasi porosita një "mëngjes anglez", me rekomandimin e kamarierit, erdhi momenti i fantës.
"A bon ni fanta," i thashë kamarierit.
"Po, pa problem," ma ktheu dhe më solli një fanta në kanaqe. Pjesa tjetër është edhe shumë e komplikuar edhe shumë e thjesht të shpjegohet me shkrim, kur i kemi pamjet më poshtë.
Hidhni një sy dhe mos hezitoni të komentoni, mundësisht të jenë pozitive komentet...