Restorantet| ‘Comandante Marcos’: U futa dhe dola i uritur por 10 euro më i varfër - NACIONALE

Restorantet| ‘Comandante Marcos’: U futa dhe dola i uritur por 10 euro më i varfër

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Nuk isha i pëgatitur para nisjes të futesha e të dilja i uritur nga një restorant duke harxhuar 10 euro - ndoshta zgjedhja nuk ishte e duhura, megjithatë, rreth “Comandante Marcos” po vlerësoja gjithçka dhe çdo gjë, përveç çmimeve.

Me lokacion në lagjen “Arbëria” në Prishtinë,”Comandante Marcos”, si restorant meksikan, shpejt ka fituar kredibilitet e famë si një prej destinacioneve të preferuara për të provuar ushqime pikante e ndryshe prej shumicës nga ato që shërbehemi në qendër të qytetit.

Një rresht shkallësh ju pret për t’i ngjitur para hyrjes, ndërsa në hip-hop (lëvizjet e këmbëve, jo zhanri muzikor) e sipër, shërbeheni me grafite interesante si më poshtë, me figura karakteristike për popullin meksikan, të fiksuar pas mustaqeve e jo edhe aq ndaj mjekrës.

Një “mirësevini” e mirëseardhur m’u parashtrua me t’u futur nga një djalosh që qëndronte në derë. Edhe buzëqeshjen, edhe frazën e tij “uluni ku t’doni” po i vlerësoja si veprime që ndikuan në disponim e përgjithshëm të mirëseardhjes që na përcolli përgjatë tërë eksperiencës brenda “Comandante Marcos”, i cili punon me orar 11:00 – 00:00, nga e hëna në të shtunën.

Njëmend po ndihesha përafërt me atë që ndihesh në një restorant meksikan, me sombrero gjithandej, tavolina e rafte druri me shishe alkooli (supozoj plot prej tyre të kenë qenë tekilla) dhe një muzikë e lehtë që po shkonte me imazhet e ushqimeve që po i shihja në meny.

Zgjedhja ishte e natyrshme… ushqimi më i famshëm meksikan në botë, ‘taco’ (me karklaeca), e i cili ndoshta nuk ishte opsioni më i mirë për ngopje në kohë pauze dhe këtë do ta kuptoja më vonë.

Një pritje 15 minutëshe u konkludua me pjatën e mëposhtme të “tacos me karkaleca”, e cila po vinte me dy ‘tacos’ të vogla, që përmbanin karkaleca, salsë ananasi me qepë, lakër dhe majo të djegës, e që po shërbeheshin me dy salsa të shtëpisë, roha dhe verde.

Për një çmim prej €7.80, e drejt të themi se isha i zhgënjyer të shihja sasinë dhe madhësinë. Shije goxha dinjitoze, megjithatë. Me kombinimin e krejt atyre përbërësve, shija e përgjithshme ishte një ekuilibër mes të ëmblës, pikantes dhe jashtëzakonisht të shishmes. Ëmbëlsia e ananasit, shija e ushqimit të detit të karkalecave dhe kërcitja e lakrave, gati sa të detyronin ta kapërdinit të gjithën me një kafshim. Jo se do të ishte e pamundur.

“Comandante Marcos” po më jepte koktell ndjesish, në miksin e ambientit të mirë e mikpritjes, ujërat po i turbullonin çmimet e larta, të cilat disi u nënvizuan me porosinë e një Coca-Cola në shishe xhami (0.33ml), e cila kushtonte €1.50. Disa nga ju mund të argumentojnë se për shkak të përbërjes me karkaleca, ‘taco’-ja në fjalë kishte këtë çmim për ngritje vetullash. Megjithatë, në një vështrim e sipër në meny, pashë se ‘taco’ me peshk kushtonte 6 euro, e që po ashtu nuk ishte për t’i shkulur flokët nga ngazëllimi që të japin çmimet e lira.

Pasi pagova 9 euro e 30 cent për një ‘taco’ dhe një Coca-Cola, u desh të shpenzoja sërish diku tjetër për ngopje.

Vlerësimi: 3/5 Ambient i mirë për vizita më të rralla se shpeshta. Çmimet e larta, një prej sfidave kryesore të ndërveprimeve popull-gastronomi në kohë inflacioni.

Lajme të ngjashme