Burra në mbidozë yndyre që ia reshin plumba në 'tullug' duhani: Oda, ky institucion marrëzie e primitivizmi - NACIONALE

Burra në mbidozë yndyre që ia reshin plumba në 'tullug' duhani: Oda, ky institucion marrëzie e primitivizmi

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Si thua për një ambient me plot burra, duhan, një tepsi mish, ca armë dhe folës që kryesisht përcaktohen si legjitim për të udhëhequr diskutimin vetëm për shkak të moshës?

Problematika të ndryshme mund të piketoni veç nga kjo hyrje. Sidoqoftë, oda si institucion social vazhdon të jetë mjaft i pranishëm dhe i pushtetshëm në shoqërinë kosovare në një botë që ka arritur njëfarë niveli premtues emancipimi dhe ka punuar zellshëm për t'ia rikthyer të drejtat atyre ndaj të cilëve janë bërë padrejtësi tradicionalisht.

Për më tepër, oda vazhdon të jetë e lidhur me institucione të rëndësishme në shoqërinë moderne kosovare. "Oda e mjekëve," "Oda e avokatëve", “Oda e infermierëve,” “Oda e bizneseve,” punojnë me zell që ne të vazhdojmë ndërlidhjen me këso lloj establishmentesh tribaleske.

Në një hapësirë që tejakon fiziken, oda historikisht ka shërbyer për të diskutuar e pleqnuar problematika nga të gjitha sferat, derisa jo rrallëherë janë marrë vendime edhe për njerëz që nuk janë të pranishëm apo nuk kanë të drejtë të jenë të pranishëm në një hapësirë të tillë.

Imagjinoni të mësoni se e ardhmja juaj është në duart e një grupi pleqnarësh, me të cilët ju keni pasur ose nuk keni pasur fare marrëdhënie të afërt, e ndërkohë të miratoni kërkesën e tyre për martesë, borxh apo fejesë.

"Tradicionalisht shoqëria jonë është strukturu në bazë të dy faktorëve; mosha dhe gjinia. Oda është mënyrë e mirë për me pa në praktikë këtë strukturim," thotë sociologia Bleona Kurteshi, derisa potencon se gratë dhe fëmijët "nuk kanë pasë të drejtë me qenë pjesë e odave."

Së fundmi, pjesë e diskutimit të odës dhe asaj çka përfaqëson ky institucion në shoqërinë tonë u bë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili nuk ishte shumë i impresionuar derisa po konfrontohej në mënyrë rigoroze në emisionin "Pressing" nga moderatori Leonard Kërquki, për pjesmarrjen e tij në hapësirën kryesisht të populluar me sfungjerë të hollë, të cilët shtypen nga ca prapanica burrash të ulur këmbëkryq.

"Ne këtu nuk jemi në pufa, as nuk jemi në kazino, por jemi në kullat e lirisë së Kosovës", po i thoshte Limaj derisa Kërquki po shikonte paksa konfuz.

Limaj, kur foli për odën, futi në ekuacionin e krahasimeve edhe dy hapësira që e kanë gjetur veten gjërësisht në anën e kundërt të një shoqërie me norma të larta e të paarsyeshme morale, siç është ajo kosovare.

Ky krahasim është tentativë për t’u hedhur hije kriminaliteti në nënkuptim, institucioneve si shtëpia publike, të cilën Limaj e quan "puf" dhe kazinove, por oda në fakt shpeshherë shndërrohet në lokacion nikoqir të aktiviteteve kriminale siç është armëmbajtja pa leje dhe përdorimi i saj.

Në mesin e krejt diskutimeve, në miks me yndyrën e mishit të qingjit që mund të jetë servuar me tepricë në tavolinë dhe "tullugit" të duhanit, ndonjë pjestar i institucionit të quajtur "odë" e sheh të arsyeshme më shpesh se rrallë t'ia hedh një të reshur plumbash për tavani, sa për t'i dhënë kapak njëqind gjërave të gabuara që ndodhin aty.

"Përdorimi i odës nga disa politikanë si mjet për me mbërri një kategori të caktuar të shoqërisë, është shqetësuese. I bie që ne po operojmë me bazën e mendësisë të së kaluarës që bazën e veprimit e ka kolektive," po më thoshte tutje Kurteshi.

Neri Ferizi, aktiviste e shoqërisë civile, thotë se politikanët kosovar përdorin odat si mjete për të sulmuar masën, duke elaboruar në ideologjinë "oprtuniste" të tyre.

"Oda (Oda e burrave) mund te kete sjelle ndonje iniciativë të mirë për kombin, por shtypja e grave ka fillu me konceptin e odave, aty ka fillu shtypja e ndarja gjinore. Këto oda ekzistente vazhdojne me e proklamu te njëjtën frymë patriarkale, prandaj është e ulët në këtë kohë që disa politikanë që i thonë vetes progresiv, vazhdojnë t’i vizitojnë ato për interesa pushteti", shprehet Ferizi.

Me globalizmin në kulminacion zhvillues, katundi i madh i Kosovës ende përfshihet në debate mbi oda e burra që lirojnë frustrimin e tyre në tavan me armë, pasi të pushtohen nga yndyra e mishit, derisa pushteti i këtyre lloj institucioneve vazhdon të jetë i plotfuqishëm, aq sa me të e mishërojnë veten politikanë, organizata e televizione.

Lajme të ngjashme