Big Brotheri Kosova sulmohet brutalisht (me të drejtë) pasi toleroi Stresin të bënte sulme seksuale
E premtja e fundit nuk ishte vetëm e xhumasë por ishte edhe... e premte e zezë për spektaklin Big Brother VIP Kosova. Disa sulme seksual, një mori fjalësh seksiste dhe një internet që s’ta falë dakikun. Çka ndodhi në episodin e fundit që duket se po prodhon pasoja të menjëhershme?
Tashmë, Twitterit i ka hyrë ‘flaka’. Përdoruesit në këtë platformë të rrjeteve sociale po shprehin shqetësimin dhe skandalizimin e tyre me njërin prej banorëve të këtij spektakli të quajtur Stresi që kishte bërë veprim absolutisht tmerrues.
Çka kishte bërë Stresi?
Derisa një banore tjetër, Juliana (e njohur si Xhuli), po rrinte e shtrirë, shihet Stresi derisa i mëshon të pasmeve të saj në mënyrë brutale në atë që mund të cilësohet, fare lehtësisht, si një sulm seksual.
Banorja mbetet e habitur dhe gojëhapur nga ky veprim i shëmtuar, që më pas do të hynte në një spirale që do ta bënte edhe më skandal gjithë spektaklin Big Brother në Kosovë.
Por, po ashtu shihet derisa provon të prek gjinjtë e një banoreje tjetër... ndërsa, akuzat për sjellje të pahijshme vijojnë më tej.
Alaudini, pishman
Sulmi i parë seksual u soll në vëmendjen e publikut pikërisht gjatë “prime”-it të fundit, nga një prej ish-banoreve që shprehur shqetësime në lidhje me sjelljen e reperit Stresi.
Alaudin Hamiti, moderator i emisionit të famshëm, do të reagonte në mënyrë të ashpër vetëm gjatë asaj mbrëmjeje por vetëm ndaj fjalëve të reperit. Ai do të thoshte se kjo nuk duhej të ndodhte, ishte seksizëm, e kështu me radhë. Por, asnjë fjalë për “elefantin në dhomë”.
Dhe, merreni me mend, po gjatë emisionit ai do të zbythej dhe do të kërkonte falje për tonin e lartë të përdorur.
Çka tha Stresi?
Stresi, që ka emrin Arkimed Lushaj, dukej krejtësisht moskuptues për shëmtinë e veprimit të tij. Madje, ai akuzoi banoren në fjalë, Julianën, se e provokonte duke e arsyetuar sulmin e tij seksual.
“Kjo ka qef,” – ishte ndërkohë një prej shumë arsyetimeve seksiste nga ana e tij.
Spiralja e Internetit
Fatmirësisht, ajo që ndodh në Big Brother nuk mbetet në Big Brother. Tekefundit, nuk po flasim fjalëpërfjalshëm për Big Brotherin e George Orwellit, por për një spektakël argëtimi.
Twitteri me shumë të drejtë e denoncoi ashpër e në mënyrë brutale veprimin e reperit nga Shqipëria.
“A jeni okay me këtë gjë? Për aq sa sjell dramë, po?” – shkroi njëra prej tyre.
y'all okay with this? as long he brings drama yeah? pic.twitter.com/4uTRY64HQH https://t.co/qTRRoJDc9R
— ' (@taeswh0ree) January 21, 2023
“Stresi Jashtë!” - ka shkruar një tjetër.
Por, radha e tyre nuk ndalet dhe me të drejtë.
Big Brotheri?
Një nga drejtueset e këtij formati, Liberta Spahiu, bëri një postim gjatë ditës së djeshme po në këtë platformë duke thënë në mënyrë autoritative se “nuk është BB format që nxjerrë jashtë apo lë brenda dikë me komente në Twitter ose Instagram!”
Nuk eshte BB format qe nxere jashte apo le mbrenda dikend me komente ne Tw ose Insta!Po sju pelqeu dikush, nuk e votoni! Po ju pelqeu e votoni! Kaq, shkurt, shqip, sakt!
— Liberta Spahiu ® (@LibertaSpahiu) January 21, 2023
Fatkeqësisht, nuk pati asnjë adresim të sulmit seksual që ndodhi në këtë spektakël.
E, natyrisht, komenti i saj nxiti shumë e shumë komente tjera nga përdoruesit e kësaj platforme.
“Qysh po ki ftyrë more o zot!!! Me ndodh live ngacmime seksuale ehde me thanë nuk mundeni me bo najsen!!! Turp!!!” – shkroi një prej përdoruesve.
“As kodit penal të Republikës së Kosovës nuk i pëlqen Stresi. Lutem që ju padit Xhuli për secilin cent që e keni fitu në krah të krimit që ju ka bo në atë shtëpi,” – tha një përdorues tjetër.
Nëse do të ketë reagim nga ky spektakël duke e larguar sulmuesin nga kjo shtëpi ose jo, mbetet të shihet.