Aurela Gaçe ishte nivel tjetër natën e Vitit të Ri - aq spektakolare sa krijonte huti e gojëhapje
Bëri pompa në skenë duke kënduar, dogji rolin si bateriste, djersë kokë e këmbë nga pushtimi kolosal që i bëri skenës - Aurela Gaçe ishte absolutisht gojëhapëse në paraqitjen e saj festive në TëVë1, nga Tirana.
Në fakt, në lajmërimin e kësaj performanceje në llogaritë e rrjeteve sociale të këngëtares, përmendet njëfarë "Venue Club", por kjo ka pak rëndësi, derisa rastësisht në kërkim e sipër nëpër programet televizive për të parë diçka që ia vlen natën e Vitit të Ri, hasa në të.
Pas vetëm 30 sekondave të parë, isha krejtësisht i saj. Sinqerisht, njeriu po bënte pompa derisa po këndonte, në një episod absolutisht elektrizues të skenës. Po shfaqej vizualisht dhe artistikisht një pasion që nuk e kisha parë kahmotshëm nga ndonjë artist shqiptar.
Ishte zhgënjyese të kuptoja se koncerti nuk ishte ngarkuar në asnjë lloj platforma sociale, me kanalin zyrtar të TëVë1 që ka zbuluar vetëm disa sekuenca nga shpërthimet gojëhapëse të Gaçes natën e ndërrimit të motmoteve, në një video në YouTube me titullin "1 Natë - Fesitve".
Është një për zhgënjim nëse nuk rishfaqet diku në internet për ta parë të plotë, pasi një eksperiencë të tillë meriton ta përjetojë çdokush që pëlqen paraqitje madhështore artistike.
Ishte një program "maratonik i gjithi live, në të kënduar dhe në orkestrim", thuhet në narrativën shpjeguese të pamjeve të ofruara nga TëVë1 në YouTube.
Tutje, mësojmë se performanca në fjalë ishte xhiruar përgjatë dy ditëve, fakt që disi më dha njëfarë qetësie shpirtërore pasi kisha filluar të krijoja ndjesi inferioriteti ndaj hiperaktivitetit të pakapshëm e shpërthyes të Gaçes për orë të tëra.
Mënyra si lëvizte nëpër skenë sikur ishte lindur e rritur në të, duke krijuar lidhje të ngushtë me publikun - falë komunikimit të vazhdueshëm, nonshalant por spontan dhe afektiv - Gaçe po bënte diçka që njëmend ishte e pamundur ta shikoje pa pushtim nga ndjenja e ngazëllimit dhe hutisë.
Vargjet si "mbamëni amëni, nuk mund të ndalë. Mbamëni amani, kufij nuk kam", tash ishin të plotkuptimshme dhe vizualisht të argumentuara.
Në një pikë gjatë performancës, pasi s'la qoshe e hapësirë pa pushtuar me lëvizje e vokal që unë nuk kisha parë, as dëgjuar më herët nga ndonjë artist shqiptar, ajo filloi të bënte pompa, derisa dikush po ia mbante nga poshtë mikrofonin. Po, realisht, ajo u shtri me dy duar e këmbë përtokë dhe po bënte pompa duke kënduar, a mund ta imagjinoni?
Ishte miks i folk, muzikës argëtuese e pop, pak a shumë ajo çka përfaqëson si artiste Gaçe në skenën kulturore shqiptare. Me të ndryshuar zhanri, ndryshonte edhe paraqitja e saj skenike. Nga veshja për klub nate që shkonte me performimin e këngëve si "origjinale" dhe "mbamëni" te veshjet tradicionale shqiptare që i shkonin këngëve folk.
Në një moment, ajo ndaloi muzikën gjatë performancës (pasi bënte ashtu herë pas here për të treguar llojlloj storie që dukej spontane e interesante) dhe i tha publikut "do bëjmë një lojë". Tash po u kërkonte të bënin më shumë zhurmë, duke i ndarë në dy pjesë - e majta dhe e djathta - dhe ai person që do të binte në sy si më zhurmuesi, Gaçe do t'ia plotësonte një dëshirë.
"Veç mos kërkoni t'iu puth ëh, sepse jam grua e martuar, jo se nuk dua", po thoshte për ngazëllimin tim e të atyre që po e shikonin.
Në një moment tjetër, ajo rroku profesionin e bateristes dhe, si gjithçka tjetër, po e çante duke hedhur shkopin e duke kënduar njëkohësisht.
Performancë 10/10 dhe një që do ta shikoj përsëri me shumë kënaqësi, nëse eventualisht do të ngarkohet në ndonjë platformë.
