Aroma e mandarinave në Gjeorgji varet nga qendresa në Ukrainë - Pushtimi rus në versionin e shkritmares së njohur - NACIONALE

Aroma e mandarinave në Gjeorgji varet nga qendresa në Ukrainë - Pushtimi rus në versionin e shkritmares së njohur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ujëra blu, palma dhe, natyrisht, aroma e mandarinave, Abkhazeti (ose Abkhazia, siç e quajnë pushtuesit rusë) ka qenë gjithmonë një peizazh ëndrrash për mua. Një vend për të cilin dija aq shumë, por nuk mund ta vizitoja kurrë. Pjesë e pandashme e jetës së familjes sime, ky është konsideruar gjithmonë si vendi i paqes dhe i lumturisë: një parajsë e vogël që na u mor me forcë në vitet ‘90. Është një vend ku imagjinoj gjyshen time, me flokët e saj të gjata të zeza, duke luajtur volejboll buzë plazhit me miqtë e saj.

Deri më sot, rreth 300,000 refugjatë nga territoret e pushtuara të Gjeorgjisë jetojnë me kujtimet dhe barrën e shpërnguljes – rreth 6% e popullsisë së përgjithshme të vendit. Hija e konfliktit duket ende e rëndë, edhe pas 30 vjetësh. Është e vështirë të harrohet se dikur ju është dashur të ecnit maleve në mes të dimrit për të gjetur shpëtim, ndërsa fëmijët tuaj ngrinë për vdekje dhe pjesëtarët e familjes suaj u vranë ose u përdhunuan.

Fatkeqësisht, këto histori nuk morën vëmendjen ndërkombëtare në vitet ‘90. Sinqerisht, dukej se askujt nuk i bëhej vonë për një shtet të vogël që luftonte për pavarësi, për një mundësi për t’u çliruar përfundimisht nga imperializmi rus, për të vendosur vetë mbi fatin e tij dhe për të jetuar në paqe me fqinjët siç kishte bërë për shekuj me radhë.

Mund të tingëllojë si klishe, por Rusia është e liga në këtë histori, ashtu si në shumë shtete të tjera që kanë fatin e keq të jenë fqinje me të. Më 24 shkurt, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë, ndryshe nga perëndimi, populli gjeorgjian, si dhe shumë të tjerë në Evropën Lindore, nuk ishin aspak të befasuar. Ne e kemi përjetuar jo vetëm një herë, por tri herë në 30 vitet tona të pavarësisë: trillime historike për të krijuar realitete fiktive për qytetarët e saj dhe për të vrarë mijëra fëmijë, gra dhe të moshuar të pafajshëm.

Në vitin 2014, ashtu si gjeorgjianët, edhe ukrainasit e rrëzuan liderin e tyre prorus (Viktor Janukoviç) dhe dëshmuan një herë e mirë se nuk ishin të gatshëm të jetonin nën diktatin rus. Në këtë periudhë filluan të shfaqen neveritë e konfliktit. Menjëherë pas këtij revolucioni ukrainas, Rusia pushtoi Krimenë dhe filloi luftën në Donbas.

Ajo që bota dëshmoi në Bucha (vrasja e civilëve ukrainas nga forcat e armatosura ruse gjatë luftës për pushtimin e qytetit ukrainas) e pamë edhe në Gagra, Sokhumi dhe në të gjitha territoret e tjera të okupuara. Kjo nuk është diçka që shpërtheu befas në Rusi. Mizoria (për ta thënë më butësisht) ka qenë gjithmonë karakteristikë e saj dalluese. Fatkeqësisht, u detyruam të vuanim dhe të mbijetonim në heshtje, ashtu siç bënë çeçenët kur e gjithë bota i konsideronte luftërat në Çeçeni si çështje të brendshme të Rusisë, dhe heshti kur kjo e fundit përdori armë kimike kundër civilëve të paarmatosur në të gjithë vendin.

Tronditem gjithmonë kur njerëzit thonë se kjo është lufta e Putinit. Ka kaq shumë gjëra të gabuara kur flasim për situatën me këto terma. Imperializmi rus/sovjetik ka qenë i nënvlerësuar nga akademia perëndimore. Perceptimi dominues është se njerëzit që u integruan me forcë në Bashkimin Sovjetik e bënë këtë vullnetarisht; ne thjesht u kapëm dorë për dore dhe vendosëm të jetonim së bashku. Le t’i sqarojmë gjërat: nuk ishte aspak kështu.

Në çdo rast, ka pasur dhunë, vrasje dhe spastrim etnik. Njerëzit që luftuan për pavarësi dhe familjet e tyre ose u dëbuan ose u vranë. Megjithatë, rusët ende e konsiderojnë veten si çlirimtarë të këtyre territoreve dhe besojnë gënjeshtrën e periudhës së artë kur “të gjithë jetonim në paqe si vëllezër”. Breza të tërë u rritën me këtë nostalgji sovjetike, e cila është një nga linjat më të rëndësishme ideologjike të Putinit kundër shteteve fqinje.

Kur ai tha në vitin 2005 se rënia e Bashkimit Sovjetik “ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”, askush nuk reagoi. Megjithatë, ai prapë u konsiderua si figurë racionale. Tre vjet më vonë ai pushtoi shtetin tim për të tretën herë, duke zbatuar planin e tij për ta zhbërë këtë “tragjedi”.

Më pas e pësoi edhe Ukraina. Si rrjedhojë, shtetet tona janë gërshetuar edhe më shumë. E ardhmja e njërit përcakton të ardhmen e tjetrit. Nëse bie Ukraina, bie automatikisht edhe Gjeorgjia. Pavarësia e shteteve, duke filluar nga Azia qendrore deri në Kaukaz e gjer në ato baltike, varet nga rezultati i kësaj lufte. Qytetarët e këtyre shteteve meritojnë të jetojnë në një demokraci të lirë, ashtu si qytetarët e shteteve perëndimore.

Refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda shtetit më në fund duhet të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë me dinjitet. Liria ka marrë shumë jetë dhe ka sjellë vuajtje dhe dhimbje të pafundme. Ky vendim, pavarësisht gjithçkaje, nuk do të zhbëhet. Gjeorgjia dhe Ukraina kanë vendosur prerazi se e ardhmja e tyre është në Evropë.

Nuk jemi dhe nuk do të jemi kurrë rusë. Disa njerëz prapë dëshirojnë të shprehin se rusët janë vëllezërit tanë, por përgjigja ime për këtë është: më mirë i vetëm, sesa me një vëlla të tillë. Një vëlla që vjedh, përdhunon dhe vret. Një vëlla që me qëllim dëshiron të të zhdukë nga faqja e dheut. Një vëlla që thotë se gjuha jote është “gjuha e qenve”, që shkatërron kishat tuaja, që i nxit komunitetet (si rusishtfolësit në Donbas dhe abkhazët/osetët në Gjeorgji) kundër atyre me të cilët ata kanë jetuar në paqe për shekuj me radhë.

Disa gabimisht mendojnë se Rusia po i përgjigjet një kërcënimi nga NATO-ja, por do të doja që këta njerëz të na pyesin ne, qytetarët e këtyre shteteve, pse kemi zgjedhur këtë rrugë. Kur abuzohesh vazhdimisht nga “fqinji” ose nga një bashkëshort i dhunshëm (kështu do ta përkufizoja marrëdhënien e Rusisë me shtetet mbi të cilat sundonte dikur), atëherë do të doje të mbroheshe, kur kjo nuk është e mundur vetë.

Gjeorgjia dhe Ukraina po rendin me vendosmëri pas integrimit euroatlantik pikërisht për shkak të kërcënimit rus. Në fund të fundit, kërkojmë siguri për veten dhe brezat e ardhshëm që të marrim në dorë fatin tonë dhe të bëhemi anëtarë të një familjeje euroatlantike. Zgjedhja jonë u pagua me gjak dhe tani është koha që Evropa të marrë hapa vendimtarë në të mirën tonë.

Tani ukrainasit janë rreshtuar përgjatë vijës së frontit. Ata po shërbejnë si shembull guximi për të gjithën botën dhe se çfarë do të thotë në të vërtetë të duash atdheun tënd. E vetmja gjë që do të ndryshojë mënyrën se si rusët e shohin botën është një disfatë e tyre ushtarake. Fatkeqësisht, kjo është mënyra e vetme që ata të kuptojnë një herë e mirë se Ukraina dhe shtetet e tjera të ashtuquajtura post-sovjetike (ndiej një urrejtje për këtë term) janë entitete të pavarura dhe jo gubernia (nënndarje administrative të Perandorisë ruse).

Besoj se një ditë do të mund të shijoj mandarinat e Sokhumit dhe të notoj në ujërat e detit të tij blu. Por që kjo të ndodhë, Ukraina duhet të fitojë dhe të ndalojë një herë e mirë agresionin rus. Kjo është thelbësore për çlirimin e Ukrainës dhe stabilitetin e Evropës. (Për shembull, nëse Putini lejohet të vazhdojë pushtimin e shteteve sovrane, atëherë radhën do ta kenë Polonia dhe vendet baltike, që janë anëtarë të NATO-s.) Kanosja e gjithë kontinentit është e prekshme. Ushtarët gjeorgjianë po luftojnë krah për krah vëllezërve tanë ukrainas për lirinë e të dy shteteve, prandaj me krenari do të valëvit flamurin verdheblu së bashku me flamurin tim të dashur bardhekuq deri në fitore.

Ana Morgoshia është shkrimtare dhe historiane arti që jeton në Tbilisi, Gjeorgji

Lajme të ngjashme