Argjentinasja që punon si kamariere në Prishtinë: Qe çka më pëlqen e çka jo te kosovarët - NACIONALE

Argjentinasja që punon si kamariere në Prishtinë: Qe çka më pëlqen e çka jo te kosovarët

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Nga qyteti i vogël argjentinas i quajtur Coronel Suarez, ajo nisi udhëtimin e guximshëm rreth botës, si fëmija i vetëm i dy prindërve patriarkalë. Ky udhëtim do ta shpinte drejt Kosovës sonë.

Anglia, Italia e Gjermania, ishin shtetet e para të cilat Lola Kytka, 31-vjeçare, i vizitoi. Aty bënte punë nga më të ndryshmet, më së shumti duke punuar si kamariere dhe si artiste e tatuazheve.

Lola thotë se është "nomade në shpirt" (nomad - person që nuk ka vendbanim të përhershëm, por udhëton nga vendi në vend vazhdimisht).

"Pastaj vazhdova aventurën në Ballkan", thotë ajo, duke nënvizuar problemet me pandeminë, të cilat e detyruan të lëvizte drejt tokës juglindore të Evropës.

"Shkova në Kroaci. Jetova në një ndërtesë të braktisur. Një djalë nga Argjentina dhe një nga Paraguaji kishin marrë ndërtesën dhe e kishin reformuar. Gjithçka ishte falas për mua aty."

Mirëpo, një marrëdhënie toksike në Kroaci e bindi Lolan se ishte koha të largohej nga personi në fjalë, për ta gjetur veten në një vend të ri.

Kështu, ajo thotë se përfundoi në Maqedoni të Veriut, vend ku përjetoi eksperiencat më të këqija.

"Atje ndodhën aq shumë gjëra. Ishte e vështirë për mua Maqedonia. Disponimin e kisha të keq, me gjithë këto gjëra që po ndodhnin", shton ajo.

Jeta nëpër hostele dhe vende ku duhej të ndante hapësirën me shumë persona të tjerë kishte filluar ta konsumonte, derisa ishte bindur se qe koha të gjente një vend të sajin ku mund të jetonte e vetme.

Realiteti nganjëherë i vështirë e të qenit nomade, e goditën rëndë në Maqedoni, ku thotë se u ballafaqua me paragjykime që derivonin nga besimet fetare të banorëve vendas, si dhe përjetoi një eksperiencë të rëndë kur dikush tentoi ta ngacmonte fizikisht në rrugë.

"Një person në rrugë (në Maqedoni) filloi të më ndiqte. Unë i bëra një pyetje për një rrugë dhe ai filloi të më ndiqte dhe të më prekte. Unë rezistova dhe i thoja 'çka po bën?' para se të ikja me vrap", thotë ajo.

Shqipëria

Një nomade asnjëherë nuk shikon prapa, pavarësisht përvojave paraprake, të mira apo të këqija, dhe njëjtë veproi edhe Lola. Pas disa muajve në Maqedoni të Veriut, përfundoi në Shqipëri.

Njoftimi me 25-30 persona të tjerë latinë atje, të cilët po ashtu po udhëtonin rreth botës, e ndihmoi të këndellej dhe të rigjente vullnetin për të vazhduar tutje.

Mirëpo, pikëpamjet patriarkale dhe paragjykimet ishin diçka që ajo vazhdimisht i hasi nëpër vendet e Ballkanit dhe Shqipëria nuk përbënte përjashtim.

"Ka shumë njerëz (në Shqipëri) që nuk mund ta pranojnë realitetin. Mendjengushtë. Nuk mund të pranojnë se je ndryshe ose këto lloj gjërash ku përfshihet feja. Gjëra si 'ky është përceptimi im për jetën dhe çdokush që nuk mendon njëjtë, e ka gabim'," potencon Lola.

"Njerëzit më pyesnin 'a je e krishterë apo myslimane'. Unë mendoja 'çka ka rëndësi kjo'?"

Duke lënë prapa stereotipet shqiptare, ajo udhëtoi drejt Malit të Zi, ku qëndroi në vende si Ulqini, Budva dhe Kotori.

Kosova

Ajo, normalisht, ishte e destinuar të vazhdonte tutje dhe – njëjtë si gjithçka tjetër që ndërlidhet me realitetin e saj – spontanisht, si rezultat i një bisede të thjeshtë me dy kosovarë, përfundoi në tokën dardane.

“U lodha nga qëndrimi në Mal të Zi, vend ku së fundmi njoftova dy persona nga Kosova. Ishte qesharake sepse ne kaluam vetëm një fundjavë, por u lidhëm shumë me njëri-tjetrin. Ata pastaj më thanë: ‘Ke dëgjuar për Kosovën?’ Unë thashë, ‘jo, por unë dua të vizitoj krejt Ballkanin’.”

Lola thotë se kurrë më herët, para atij momenti, nuk kishte dëgjuar për Kosovën, madje as për Ballkanin, dhe se përfundoi në Gadishull rastësisht, por tash e ka të vështirë të largohet.

“Jeta bëri për mua plane tjera. Nuk prita të përfundoj në Ballkan, dhe tash nuk mund të largohem nga Ballkani”, shton 31-vjeçarja, e cila, si destinacion të radhës për ta vizituar e qëndruar për një kohë, e ka përcaktuar Serbinë.

“Isha shumë e impresionuar sa shpejt ishte të gjeja punë në Kosovë”, u shpreh ajo, që nisi të punonte si kamariere dhe po bënte lëvizje të gjente një punë si artiste tatuazhi.

Cilat janë përshtypjet e Lolës për Kosovën? Si ka qenë pritja nga lokalët, kur marrim parasysh eksperiencat me ‘mendjengushtësinë’ e njerëzve në Shqipëri, në të cilat ajo elaboroi më herët.

“Jo, këtu, mendoj se mendjengushtësia është në përfaqësim më të ulët [se në Shqipëri]. Mirëpo, mund ta ndiesh se edhe këtu lufta është ende e freskët në memorien e njerëzve. Kaq shumë gjëra... me religjionin, e gjëra të tjera.

Këtu mund të flasësh me dikë që është mendjehapur, por familja e saj apo tij është ndryshe, me kaq shumë rregulla.”

Lola potencon se, përkundër tentativave të njerëzve për të tejkaluar barrierat e të menduarit njëdimensional, ata prapë janë të ‘ngujuar’ në një fluskë rregullash, nga të cilat është e vështirë të ikin.

“Kaq shumë njerëz këtu, mendoj se nuk ndihen të lirë, e kupton? Ata duan të jetojnë në një mënyrë por, për shkak të prindërve, nuk e bëjnë, sepse janë të frikësuar dhe kaq shumë gjëra.”

Elementet e tilla a nuk janë pjesë edhe e kulturave tjera? Ishte pyetja ime.

“Kjo mund të gjendet kudo. Prindërit e mi janë njëjtë, shumë mendjengushtë. Më thonë ‘me tatuazhe kështu, kurrë nuk do të gjesh punë’.”

A do t’ia rekomandonte Lola për vizitë Kosovën ndonjë miku nga një vend tjetër?

“Për Prishtinën kam ndjenja mikse. Mendoj se është qytet i mirë, mund të bësh qejf, mund ta shijosh. Por, gjithmonë varet nga ti, si funksionon.”

Tutje, Lola, pas edhe kërkesës sime, foli rreth gjërave që nuk i pëlqejnë në kulturën kosovare.

“Këtu ka njerëz të mrekullueshëm. I dua, janë kaq bujarë dhe miqësorë, nëse ke nevojë për ndihmë të gjinden, e gjëra të tilla. Mirëpo, po ashtu kam rastisur në kaq shumë njerëz fallco, nuk dua të them ‘fallco’, por s’di ndonjë shprehje tjetër për ta nënvizuar.

Mund të shoqërohem tre muaj me dikë, të bëjmë qejf e gjëra të tilla dhe pastaj, kur e shoh në rrugë, nuk të përshëndetin fare. Kjo më ka ndodhur me kaq shumë njerëz.”

Lola pretendon të qëndrojë për dy vjet në Kosovë, një veç e ka kaluar, para se ta lë prapa shtetin më të izoluar në Evropë, për të vendosur një tik tjetër në listën e gjatë të vendeve që do t’i vizitojë përgjatë jetës së saj si nomade.

Lajme të ngjashme