Albin Kurti në Sunny Hill, “VIP me shirit të zi” që s’i afroheshe dot - NACIONALE

Albin Kurti në Sunny Hill, “VIP me shirit të zi” që s’i afroheshe dot

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Në mesin e 'të rëndësishëmve' me shirit të zi, Albin Kurti po e shijonte eksperiencën e Sunny Hillit në natën e fundit të festivalit, dhe unë nuk mund të ngopesha së përcjelli të bëmat e tij.

VIP-at në Sunny Hill, në fakt, dukej se po humbisnin shumë. Ishin dy tarraca me njerëz që kishin paguar ekstra për të pasur një pamje më të mirë nga lart, një në anën e majtë dhe një në të djathtë. Pjesa e popullit që nuk ishin VIP i ndante në mes.

Fillimisht vizitova krahun e majtë... e drejt të themi se atmosfera aty ishte e tmerrshme. Askush nuk kërcente, e të gjithë kishin një hapësirë të vogël manovruese. Ata realisht kishin paguar ekstra për të kaluar më keq se të tjerët.

Oh, paraqitja e DJ-it të njohur Burak Yeter, po ashtu më la më shumë për të dëshiruar. Ai po lëshonte mikse me këngë si "Bella Ciao" të serialit "Casa de Papel" dhe muzikën e filmit "Rocky", duke nxitur episode dëshpëruese për mua që po përjetoja ndoshta natën më të keqe deri tash në Sunny Hill, sa i përket muzikës.

Albin Kurti VIP me shirit të zi

Më herët kisha marrë info se Albin Kurti është paraqitur në zonën VIP. Andaj, zgurdullimi i syve në krahun e majtë të kësaj zone, nuk solli gjë veç bindjes se ai nuk ishte aty, por në anën tjetër.

Pasi iu drejtova tarracës së VIP-ave në të djathtë, nga një pjesë e ndarë mes dy tarracave, po e shihja kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Tentativat për të shkuar në atë pjesë rezultuan të dështuara. Një sigurim qëndronte në zonën ndarëse dhe, pasi ia tregova bexhin, tha, "nuk munësh me hi këndej, pa e pasë shiritin e zi".

Kisha të bëja me kategori të rëndë të VIP-ave, një që nuk të kryente punë as varësja për medie e festivalit, e cila më fuste kudo deri në atë moment.

S'kish opsion tjetër veç të kthehesha ku isha e të përcillja çka po bënte zoti Kurti. Normalisht, sa herë në jetë do ta shihni kryeministrin në një festival muzike, i stacionuar në një tavolinë pa ulëse, e duke u folur në vesh miqve të tij për shkak të volumit të lartë?

Ministri Hajrulla Çeku gjithashtu ishte prezent dhe po qëndronte prapa Kurtit. Ky qëndroi për pak kohë me një grup njerëzish, aty-këtu duke bërë një lëvizje kërcimi, para se t'i shkonte për ca fjalë Dukagjin Lipës.

Për një periudhë të konsiderueshme ata diskutuan e diskutuan, e që dukej se po sqaroheshin rreth diçkaje, para se të largohej saktësisht në orën 23:31, pasi ishte shfaqur rreth orës 22:50.

Më herët ai kishte nxjerrë telefonin dhe po bënte video, e cila u publikua në fund nga faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës.

Ju nuk do ta vërenit, por në fund të kësaj videoje për pak momente shfaqem edhe unë, anipse në distancë tejet të konsiderueshme. Derisa të tjerët po ngrisnin duart sapo kryeministri drejtonte telefonin nga ta, unë me timin po e xhiroja atë duke xhiruar.

Për nja 40 minuta të mirë shijova prezencën e Kurtit te VIP-at me shirit të zi, derisa ishte koha të kthehesha e t'i bashkohesha pjesës dërrmuese të popullit në mes të zonave VIP.

E aty pashë teksa kaloi këngëtarja Semi Jaupaj, e cila nuk dukej shumë e kompleksuar të dëfrehej.

Performuan artistë si Burak Yeter, Regard e Diplo në një turmë paksa më pak të ngjeshur se ditët tjera. Realisht, kësaj radhe ju kishit hapësirë të lëviznit të paktën trupin, në krahasim me netët e tjera kur ishte e vështirë edhe të merrje frymë nga turma nëse do të përfundoje diku nga fillimi.

Lajme të ngjashme