Zjarr i madh në Francë, mijëra njerëz evakuohen nga shtëpitë
Një zjarr në natyrë po përhapet në rajonin Gironde, në jugperëndim të Francës të mërkurën, duke shkatërruar shtëpi e duke detyruar mijëra banorë që të evakuohen. Disa prej tyre hipën mbi kulme të shtëpive pas afrimit të zjarrit.
Më shumë se 1.000 zjarrfikës, të përkrahur nga aeroplanët me ujë, po përdoren në luftën kundër zjarrit që ka djegur mbi 6.000 hektarë dhe që ende po përhapet jashtë kontrollit, raporton agjencia “Reuters”.
Franca, si pjesa tjetër e Evropës, po ballafaqohet me valë të vapës dhe me thatësinë më të madhe të regjistruar ndonjëherë. Dhjetëra zjarre janë duke u përhapur në pjesë të ndryshme të vendit, përfshitë të paktën katër zjarre të mëdha.
Në fshatin Hostens të rajonit Gironde, policia shkoi derë më derë për t’u thënë banorëve që të largohen për shkak të përhapjes së jzarrit. Camille Delay u largua bashkë me partnerin dhe birin e tyre, duke marrë me vete edhe dy macet e tyre, pulat dhe letrat e sigurimit të shtëpisë para se të largoheshin përmes ajrit.
“Të gjithë në fshat hipën në kulmet e shtëpive për të parë se çfarë po ndodhet. Brenda dhjetë minutave, një tym i vogël u bë i jashtëzakonshëm”, tha 30-vjeçarja.
Zjarrfikësit thanë se ka gjasa për më shumë evakuime. Sidoqoftë, disa banorë të fshatit ngurruan që t’i braktisnin shtëpitë e tyre.
“Është e ndërlikuar që të shkosh me qen dhe nuk mund t’i lëmë ata këtu”, tha Allisson Horan, 18 vjeçe, që qëndroi në fshat me babanë e vet.
“Jam e brengosur, sepse zjarri është në një copë toke prapa tokës sonë dhe era po fillon që ta ndryshojë drejtimin", shtoi ajo.
Zjarri në Gironde është njëri nga të shumtët që kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të Evropës këtë verë, të nxitur nga vala e vapës që e ka “pjekur” kontinentin dhe ka sjellë temperatura rekorde në disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe.
Në Portugali, gati 1.200 zjarrfikës, të përkrahur nga tetë aeroplanë, kanë luftuar një zjarr në zonën malore, Covilha, rreth 280 kilometra në verilindje të Lisbonës, ku janë djegur më shumë se 3.000 hektarë nga e shtuna. Zjarre ka pasur edhe në Spanjë e Greqi.
Rajoni Gironde u godit nga zjarre të mëdha në korrik, kur u shkatërruan mbi 20.000 hektarë pyje dhe gati 40.000 njerëz u detyruan që të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre.
Autoritetet besojnë se zjarret e fundit janë rezultat i zjarreve të kaluara, të cilat nuk ishin shuar plotësisht. Zjarre ka edhe në distriktet jugore, Lozere dhe Aveyron. Mbi 1.200 hektarë janë djegur nga një zjarr tjetër në distriktin Maine et Lore, në perëndim të Francës./Nacionale

