Përvëlohet Evropa: Franca përgatitet për temperatura rekorde, në Spanjë zjarre në pyje - NACIONALE

Përvëlohet Evropa: Franca përgatitet për temperatura rekorde, në Spanjë zjarre në pyje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca, Spanja dhe disa vende të tjera të Evropës Perëndimore po përgatiten për një fundjavë përvëluese, gjatë së cilës pritet të thyhet rekordi i temperaturave. Kjo nxehtësi ka shkaktuar shqetësim për zjarre në pyje dhe për efektet e ndryshimit të klimës.

Të premten, temperatura ishte më e lartë se 40 gradë në disa pjesë të Francës. Moti të shtunën do ta paraqesë kulmin e një vale vape të qershorit, në linjë me paralajmërimin e shkencëtarëve, të cilët kanë thënë se ky fenomen tani do të paraqitet më herët se zakonisht për shkak të ndryshimit të klimës.

Parashikohet që temperaturat të ulen pak nga e diela. Meteorologët kanë parashikuar stuhi në disa pjesë të Francës dhe në vende të tjera evropiane.

Agjencia shtetërore franceze për parashikimin e motit, “Meteo France”, tha se rekordi i temperaturave për muajin qershor u thye në 11 zona të premten dhe mund të shkojë deri në 42 gradë në disa vende të shtunën.

Në Spanjë, rreth 9.000 hektarë tokë u dogjën të premten në rajonin veriperëndimor, Sierra de la Culebra. Rreth 200 persona u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre, thanë autoritetet rajonale.

Mbi 3.000 njerëz u evakuuan nga parku “Fou” në pjesën qendrore të Spanjës për shkak të një zjarri që shpërtheu afër këtij vendi.

Zjarrfikësit po luftojnë me zjarre edhe në disa rajone të tjera, përfshirë Katalonjën, ku kushtet e motit e vështirësuan punën e zjarrfikësve.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e çmoi punën e zjarrfikësve, të cilët, siç tha ai, e rrezikojnë jetën e tyre në vijën e frontit të zjarreve.

Në shumicën e zonave të vendit, temperaturat ishin mbi 35 gradë të premten, skruan "The Guardian", përcjell "Nacionale".

Në pjesën veriore të Italisë, disa qyteza kanë vendosur kufizime për furnizim me ujë dhe rajoni i Lombardisë mund ta shpallë gjendjen emergjente, sepse thatësia rekorde po i rrezikon të mbjellat.

Britania e Madhe e regjistroi ditën më të nxehtë të vitit të premten. Meteorologët thanë se temperatura në mesditë shkoi në mbi 30 gradë.

Lajme të ngjashme