Zhvillimet më të rëndësishme të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë
Ndërsa Rusia vazhdon të synojë objektet energjetike në Ukrainën perëndimore, Zelensky ka njoftuar për një “sulm masiv” rus në vend, me 36 raketa të lëshuara brenda natës.
Të përmbledhura në vazhdim, Nacionale sjell zhvillimet më të rëndësishme të së shtunës nga lufta Rusi-Ukrainë.
- Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka thënë se duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit, Rusia e ka zhytur Ukrainën në një katastrofë humanitare. Në një deklaratë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine, Shmyhal u shpreh se Rusia dëshironte ta dënonte Ukrainën me "një dimër të ftohtë, ku literalisht shumë njerëz mund të ngrinin deri në vdekje".
- Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha të shtunën se Ukraina ka larguar rusët nga vendbanimet Charivne dhe Chkalove në rajonin Kherson.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se brenda natës Rusia ka lëshuar 36 raketa në Ukrainë. Duke e quajtur një “sulm masiv”, Zelensky tha se shumica e raketave ishin rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit.
- Operatori i rrjetit energjetik të vendit, ka bërë të ditur se forcat ushtarake ruse kanë kryer një tjetër sulm me raketa në synim të objekteve energjetike në Ukrainën perëndimore.
- Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar ashpër thirrjen e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë drejtuar OKB-së për të hetuar akuzat se Rusia ka përdorur dronë nga Irani për të sulmuar Ukrainën.
- Forcat ukrainase kanë bombarduar pozicionet ruse në rajonin e pushtuar Kherson, duke synuar rrugët e furnizimit përmes një lumi të madh. Associated Press raportoi se zyrtarët e instaluar nga Rusia po përpiqeshin dëshpërimisht ta kthenin qytetin Kherson, në një "fortesë" ndërsa përpiqeshin të evakuonin dhjetëra mijëra banorë.
- Kryeministri japonez, Fumio Kishida, paralajmëroi sot se përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia do të shihej si një "akt armiqësie kundër njerëzimit". Kishida, i përshkroi kërcënimet bërthamore të Putinit si “thellësisht shqetësuese”.
- Përderisa NATO është duke forcuar kapacitetin e saj parandalues pas pushtimit rus të Ukrainës, Spanja ka njoftuar se do të dërgojë 14 avionë luftarakë në Bullgari dhe Rumani për të forcuar krahun lindor të aleancës.
- Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se, forcat ruse po vazhdojnë të përforcojnë pikat e kalimit mbi lumin Dnieper dhe kanë përfunduar ndërtimin e një ure maune pranë urës së dëmtuar Antonovskiy në Kherson të Ukrainës.

