Zhvillimet kyçe në Ukrainë: Zelensky akuzon Rusinë, Bideni e quan Putinin kriminel lufte
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet që t’i mbulojë dëshmitë për krime lufte. Duke iu referuar gjetjes së trupave të civilëve në qytezat përreth Kievit, presidenti ukrainas tha se Rusia tashmë ka nisur një fushatë të rreme për ta fshehur fajin e saj në zonat e tjera të vendit. Cilat janë zhvillimet e tjera rreth luftës në Ukrainë? Gazeta "The Guardian" sjell një përmbledhje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka quajtur kriminel lufte homologun rus, Vladimir Putin, dhe ka thënë se do të bëjë thirrje për një gjykim për krime lufte. “Duhet të mbledhim informata. Duhet të vazhdojmë që t’i ofrojmë Ukrainës armë që i nevojiten për ta vazhduar luftimin dhe duhet t’i marrim të gjitha hollësitë për të pasur një gjykim për krime lufte. Ky njeri (Putini) është brutal dhe ajo që po ndodh në Bucha është mizore”, tha presidenti amerikan të hënën.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja është e gatshme që të dërgojë ekipe hetimi në Ukrainë për t’i dokumentuar krimet e pretenduara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit nga forcat ruse.
Zelensky e vizitoi qytetin Bucha me jelek anti-plumb në trup dhe i rrethuar nga personeli ushtarak. Ai tha se qytetet janë të shkatërruara dhe se autoritetet kanë nisur një hetim për krime të mundshme lufte. Sipas tij, të dhënat lënë të kuptohet se vetëm në Bucha janë vrarë mbi 300 njerëz.
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se dëshmitë për vrasjen e civilëve në Bucha janë vetëm “maja e iceberg-ut”. Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologen britanike, Liz Truss, ai tha: “Tmerret e Buchas Mariupolit dhe vendeve të tjera kërkojnë sanksione serioze të Grupit G7 dhe BE-së.”
Presidenti ukrainas tha se vendi i tij është duke u përgatitur për aktivitet edhe më brutal të forcave ruse në lindje dhe në jug të Ukrainës. “Ne e dimë se çfarë do të bëjnë ata në Donbas”, tha ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk, tha se Rusia është duke i sulmuar qytetet Rubizhne dhe Popasna në rajonin lindor të Luhanskut, ndërsa është duke përgatitur një sulm në qytetin Severodonetsk dhe se po punon për ta kapur Mariupolin.
Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha: “Rusia është duke i ripozicionuar forcat e saj për t’i përqendruar operacionet e ofensivës së saj në lindje dhe në pjesë jugore të Ukrainës.”
Ushtria ukrainase ka pretenduar se Rusia është duke i rigrupuar trupat për një sulm agresiv në lindje të Ukrainës. Sipas një raporti të operacioneve ditore, të publikuar në orën 6 të mëngjesit, qëllimi i Rusisë është që tash të ketë kontroll të plotë në rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Grupi i hakerëve, “Anonymous”, ka pretenduar se i ka siguruar të dhënat personale të 120.000 ushtarëve rusë që po luftojnë në Ukrainë.