Zhvillimet kryesore nga dita 401 e luftës Rusi-Ukrainë
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky, ka thënë se Ukraina nuk do t'i falë kurrë trupat ruse për mizoritë e shkaktuara në Bucha, ndërsa është shënuar përvjetori i rimarrjes së qytetit pas 33 ditësh pushtimi në vitin 2022.
- Parlamenti i Turqisë ka miratuar një projekt-ligj që lejon Finlandën të bashkohet me NATO-n, duke i hapur rrugën Helsinkit për t'u bashkuar me aleancën perëndimore të mbrojtjes.
- Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë se ka intensifikuar bisedimet me Rusinë për vendosjen e armëve bërthamore taktike në vendin e tij, duke pretenduar se Polonia kishte plane për të pushtuar vendin e tij.
- Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka prova të reja se Rusia po kërkon sërish armë dhe municione nga Koreja e Veriut për të nxitur luftën në Ukrainë.
- Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, ka thënë se "shkeljet e rënda" të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare janë bërë "rutinë tronditëse" në pushtimin rus të Ukrainës.
- Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka inkurajuar presidentin kinez, Xi Jinping, të flasë me presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe të mësojë nga dora e parë për formulën e paqes të Ukrainës për të ndihmuar në përfundimin e pushtimit rus.
- ShBA ka shprehur ‘shqetësimin e thellë’ për arrestimin e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich në Rusi, ndërsa është njoftuar se Departamenti i Shtetit “ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë” me qeverinë ruse në lidhje me ndalimin e gazetarit.
- Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, ka njoftuar se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të kryesojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill, kur Rusia të marrë presidencën e trupit ndërkombëtar.
- Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura kundër presidentit Vladimir Putin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi.
- Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, ka thënë se Moska do të vazhdojë të njoftojë paraprakisht ShBA-në për testet e saj raketore, pavarësisht se ka pezulluar pjesëmarrjen në traktatin e armëve bërthamore "New Start", duke e kthyer mrapsht një deklaratë që thoshte të kundërtën, ditën e mërkurë.
- Zyrtarët ukrainas kanë njoftuar se forcat ruse kanë pasur ‘njëfarë suksesi’ në qytetin lindor të vijës së frontit, Bakhmut, ku po zhvillohen luftime të përgjakshme.
- Media shtetërore ruse ka njoftuar se Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për të thirrur 147,000 qytetarë rusë për shërbimin ligjor ushtarak si pjesë e fushatës së rekrutimit pranveror të vendit.

