Joe Biden i bën thirrje Rusisë për lirimin e gazetarit të WSJ
Presidenti Joe Biden i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë Evan Gershkovich, gazetar i Wall Street Journal i arrestuar në fillim të kësaj jave me akuza për spiunazh që çojnë në përballje me 20 vjet burg.
"Lëreni të shkojë,"- është shprehur Biden, ndërsa ka komentuar rastin të premten.
Më herët edhe sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, i përshkroi akuzat për spiunazh të ngritura kundër Gershkovich si "qesharake".
Megjithatë, duke se perspektiva e një lirimi të shpejtë të tij është gjithnjë e më e pamundur, pasi zyrtarët rusë vazhdojnë të flasin për Gershkovich duke sugjeruar që dënimi i tij është i paramenduar.
“Kemi të bëjmë me një aktivitet të zhvilluar nën mbulesën e gazetarisë, aktivitet që në thelb është spiunazh. Meqenëse ai u kap në flagrancë, situata është e qartë dhe e thjeshtë,”- është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry.
Çfarë ndodhi?
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë ka njoftuar se ka arrestuar një reporter të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, nën akuzën për spiunazh.
Agjencia kryesore ruse për siguri të brendshme dhe kundërzbulim tha të enjten se gazetari Evan Gershkovich është ndaluar në qytetin e Maleve Ural, Yekaterinburg, përderisa dyshohej se po mundohej të siguronte informacione të klasifikuara, raporton agjencia “Associated Press”.
Gershkovich-i është reporteri i parë i një mediumi amerikan që arrestohet nën akuzën për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij u bë në kohen e tensioneve të larta mes Uashingtonit e Moskës për luftën në Ukrainë.
Shërbimi i sigurisë pretendon se Gershkovich-i “ishte duke vepruar me urdhra të ShBA-së për të mbledhur informata për aktivitetet e njërës prej ndërmarrjeve të kompleksit industrial ushtarak rus, që përbën sekret shtetëror”.
FSB-ja nuk tregoi se kur është bërë arrestimi i gazetarit. Ai mund të dënohet me burgim deri në 20 vjet, nëse shpallet fajtor për spiunazh.
Gershkovich-i i mbulonte ngjarjet në Rusi dhe Ukrainë si korrespondent i gazetës “The Wall Street Journal” në byronë e saj në Moskë. FSB-ja theksoi se ai kishte akreditim nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të punuar si gazetar.
Raporti i tij i fundit nga Moska, i publikuar këtë javë, ishte i përqendruar në ngadalësimin e ekonomisë ruse në kohën e sanksioneve perëndimore.
