‘Rusia do ta furnizojë Korenë e Veriut me ushqime, kërkon armë në këmbim’
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby ka thënë se Rusia është duke dërguar një delegacion në Korenë e Veriut për të ofruar ushqim në këmbim të armëve.
Duke komentuar këtë situatë, Kirby ka thënë se çdo marrëveshje armësh midis Koresë së Veriut dhe Rusisë do të shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kujtojmë se ShBA e ka akuzuar edhe më parë Korenë e Veriut për furnizim me armë për ushtrinë ruse dhe grupin e mercenarëve rusë Wagner, akuza që atëkohë ishin mohuar në Pheniani.
Lidhur me marrëveshjen e fundit të supozuar, sipas BBC-së, Kirby ka thënë se ShBA është duke e monitoruar nga afër.
Të enjtën edhe Thesari i ShBA-së ka futur në listën e zezë një burrë sllovak për rolin e ndërmjetësit midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Nga Thesari është njoftuar se Ashot Mkrtychev, 56 vjeç, kishte rregulluar shitjet dhe kishte ndihmuar në organizimin e marrëveshjeve që do t'i mundësonin Koresë së Veriut të dërgonte armë në Rusi në fund të 2022 dhe në fillim të 2023. Është bërë e ditur se në këmbim të armëve, Pheniani kishte marrë para, avionë komerciale, mallra dhe lëndë të para.
Përfshirja në listën e zezë të sanksioneve ndalon bizneset amerikane të kenë marrëdhënie me Mkrtychev dhe ngrin asetet e tij në ShBA.
