Zelensky e përkujton Masakrën e Bucha-s: Kurrë nuk do të falim
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përkujtoi të premten Masakrën e Bucha-s, duke thënë se vendi i tij do të ndëshkojë çdo autor të krimit.
“Bucha dhe distrikti i Bucha-s. 33 ditë pushtim. Mbi 1.400 vdekje, përfshirë 37 fëmijë. Mbi 175 njerëz u gjetën në varre masive e dhoma torture”- shkroi presidenti ukrainas në rrjete sociale.
“9.000 krime lufte ruse. 365 ditë që nga koha kur është një qytet i lirë ukrainas përsëri. Një simbol i mizorive të ushtrisë së vendit pushtues. Ne nuk do të falim kurrë. Do ta dënojmë secilin autor të krimit”- shtoi Zelensky, raporton televizioni CNN.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andrii Kostin, tha se këta ishin “numra tmerrues”. “Ajo ishte hera e parë, kur ne pamë dëshmi të shkallës së pashembullt të mizorive të armikut”- tha ai të premten.
Zyra e prokurorit ka njoftuar gati 100 oficerë ushtarakë rusë për dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në Bucha. Ndaj 35 prej tyre tashmë janë dërguar aktakuzat në gjykatë, thuhet në deklaratë.
“Ne nuk do të ndalemi derisa të gjithë organizatorët dhe autorët e krimeve të luftës të dënohen”- tha prokurori Kostin.
Edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e kujtoi njëvjetorin e Masakrës së Bucha-s.
A year has passed since the war crimes committed by Russian troops in #Bucha were revealed. I carry with me the horrendous images.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) March 31, 2023
The EU assists Ukraine to investigate such crimes and collect evidence.
There will be no impunity. #StandWithUkraine #noimpunity #Accountability pic.twitter.com/Uf5RKEPHCB
“Një vit ka kaluar që nga zbulimi i krimeve të luftës, të kryera nga trupat ruse në Bucha. I mbaj me vete pamjet e tmerrshme. BE-ja i asiston Ukrainës për të hetuar krime të tilla dhe për të mbledhur dëshmi. Nuk do të ketë pandëshkueshmëri”- shkroi ai në rrjete sociale.
