Një vit nga zbulimi i masakrës së Bucha-s në Ukrainë - NACIONALE

Një vit nga zbulimi i masakrës së Bucha-s në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bucha, e shtrirë në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev, u bë sinonim i brutalitetit rus pas tërheqjes së forcave pushtuese në marsin e vitit të kaluar, kur u zbuluan rrugët e mbushura me civilë të vrarë.

Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve të vdekur në rajonin e Kievit është 1.137, përfshirë 461 të vrarë vetëm në Bucha, raporton gazeta “The Guardian”.

Hetuesit ndërkombëtarë janë duke mbledhur dëshmi në Bucha dhe në vende të tjera, ku autoritetet ukrainase thonë se trupat ruse kanë kryer mizori të gjera gjatë pushtimit të nisur më 24 shkurt 2022. Moska i ka mohuar akuzat.

Forcat ruse hoqën dorë nga sulmi ndaj Kievit një muaj pas fillimit të luftës, duke u tërhequr nga Bucha dhe nga zonat e tjera veriore të Ukrainës. Luftimet vazhdojnë ende në lindje dhe në jug të vendit.

Agjencia “Reuters” raporton: Sot Bucha është plot jetë. Familjet e reja kalojnë rrugëve qendrore dhe zhurma e ndërtimit dëgjohet në ajrin e freskët të pranverës.

Në një pasdite rishtazi, traktorët lëvizën poshtë e lart Rrugës “Vokzalna”, ku me një projekt të financuar nga ndërkombëtarët synohet fshirja e shenjave të luftës.

Plagët e luftës shtrihen në mbarë qytezën, ku disa ndërtesa të larta kanë mbetur të shkatërruara dhe një deponi është plot vetura e automjete ushtarake të shkatërruara gjatë luftimeve të vitit të kaluar.

Rrethojat përgjatë Rrugës “Yablunska”, ku dhjetëra banorë ishin vrarë, janë plot vrima plumbash.

Sipas autoriteteve lokale, 458 trupa janë tërhequr nga qyteza, përfshirë nëntë fëmijë nën moshën 18-vjeçare. Në mesin e tyre, 419 raportohet të jenë vrarë me armë, ndërsa 39 duket se kishin vdekur nga shkaqe natyrore, me gjasë të ndërlidhura me pushtimin.

Komisionari i lartë për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara ka dokumentuar vrasje të paligjshme përfshirë ekzekutimet pa gjyq të të paktën 73 civilëve në Bucha. Në pamje janë parë kufoma me duar të lidhura prapa shpinës, të qëlluar nga afërsia.

Rusia e ka mohuar përgjegjësinë për këtë masakër dhe ka pretenduar se Ukraina i ka falsifikuar pamjet. Sidoqoftë, këto vlerësime janë cilësuar të rreme nga grupe e medie të ndryshme. Sipas dëshmitarëve, civilët në Bucha janë vrarë nga forcat ruse.

Lajme të ngjashme