Pezullohen njoftimet bërthamore, Rusia dhe ShBA nuk do ta njoftojnë njëra-tjetrën as për testim raketash - NACIONALE

Pezullohen njoftimet bërthamore, Rusia dhe ShBA nuk do ta njoftojnë njëra-tjetrën as për testim raketash

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov ka njoftuar pezullimin e të gjitha llojeve të njoftimeve bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në bazë të traktatit bërthamor NEW START.

Duke cituar median shtetërore ruse, CNN raporton se deklarata e Ryabkov përfshinte edhe pezullimin e njoftimeve për lëshimet testuese të raketave, megjithëse vetë Ryabkov nuk ishte specifik në këtë pikë. Ndërsa shkruhet se njoftime të tilla do të mbulohen nga traktati origjinal i vitit 1988, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

Ryabkov citohet të ketë thënë se:"Nuk do të ketë fare njoftime. Të gjitha formatet janë pezulluar."

“Të gjitha njoftimet, të gjitha format e njoftimeve, të gjitha shkëmbimet e të dhënave, të gjitha aktivitetet e inspektimit, në përgjithësi, të gjitha llojet e punëve sipas kontratës janë pezulluar, nuk do të kryhen. Dhe kjo nuk varet nga pozicioni që Shtetet e Bashkuara mund të marrin,”- është shprehur Ryabkov, sipas mediave shtetërore ruse.

Të martën, CNN ka raportuar se disa zyrtarë të lartë amerikanë kishin bërë të ditur se Rusia nuk do t'i sigurojë Shteteve të Bashkuara të dhëna për forcat e saj bërthamore që zakonisht ndahen çdo gjashtë muaj - dhe si përgjigje, as ShBA nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Dihet se masa e Moskës për të mos dhënë informacione vjen pasi presidenti Vladimir Putin në muajin shkurt 2023, pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin NEW START, e vetmja marrëveshje dypalëshe e mbetur midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Ndërkohë, të martën, Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Hapësinore, John Plumb, ka thënë se ShBA-të i kishin bërë presion Rusisë për shkëmbimin e informacionit, që duhet të ndodhë në fund të këtij muaji.

"Rusia u përgjigj se ata nuk do ta japin atë informacion, Dhe kështu, si një kundërmasë diplomatike, as Shtetet e Bashkuara nuk do ta bëjnë,”-ka thënë ai.

Njoftimet për testet e raketave dhe ngjarje të tjera që përfshijnë armë bërthamore kanë qenë një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së stabilitetit strategjik për dekada.

Këto njoftime kanë siguruar që as Rusia as Shtetet e Bashkuara të mos keqinterpretojnë lëvizjet e njëra-tjetrës.

Çfarë duhet të dimë për NEW START:

Traktati të cilin e ka suspenduar Rusia, vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore të vendosura me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si ShBA ashtu edhe Rusia. Traktati është zgjatur për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet, që do të thotë se të dy palët së shpejti do të duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje tjetër për kontrollin e armëve.

Sipas traktatit kyç të kontrollit të armëve bërthamore, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëra-tjetrës, megjithëse inspektimet ishin ndërprerë që nga viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.

Lajme të ngjashme