Zhduket një aeroplan në ShBA, fillon kërkimi - NACIONALE

Zhduket një aeroplan në ShBA, fillon kërkimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet amerikane janë duke kërkuar një aeroplan të kompanisë ajrore “Bering Air” me dhjetë persona në të, i cili është raportuar i zhdukur gjatë fluturimit mes vendbanimeve Unalakleet dhe Nome, njoftoi Departamenti i Sigurisë Publike i Alaskës në ShBA.

Në aeroplanin e vogël të tipit “Cessna Caravan” ndodheshin piloti dhe nëntë pasagjerë, thuhet në uebfaqen e kësaj agjencie, ku shtohet se ekipet ishin duke punuar për t’i siguruar koordinatat e fundit të njohura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një numër joproporcional i aksidenteve me aeroplanë ndodhin në Alaskë në krahasim me shtetet e tjera të ShBA-së, sipas Institutit Kombëtar të Sigurisë dhe Shëndetit Profesional.

Alaska ka terren malor dhe mot sfidues. Shumë fshatra nuk kanë lidhje rrugore dhe aeroplanët e vegjël përdoren për të transportuar njerëz e mallra.

“Bering Air” është kompani ajrore rajonale me seli në Alaskë dhe operon rreth 40 aeroplanë e helikopterë, sipas të dhënave në uebfaqen për përcjelljen e fluturimeve, “FlightRadar24”.

Kompania nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment në lidhje me zhdukjen e aeroplanit./Nacionale

Lajme të ngjashme