Zgjerohen protestat për pagat e mësuesve në Hungari, marrin pjesë edhe studentët
Mësuesit, studentët dhe prindërit hungarezë i shtuan protestat të premten për të bërë thirrje për paga më të larta dhe reforma në arsim, duke formuar një zinxhir njerëzor 10-kilometërsh në pjesën qendrore të Budapestit, ndërsa tubime më të vogla u mbajtën në mbarë vendin.
Mësuesit e filluan lëvizjen e tyre, “Dua të jap mësim”, në shtator për të bërë thirrje për mosbindje civile, duke kërkuar paga më të larta për mësues dhe plotësim të duhur të fuqisë punëtore. Ata po protestojnë edhe kundër kufizimeve të së drejtës së tyre për të mbajtur grevë, raporton agjencia “Reuters”.
Disa mësues janë shkarkuar nga vendi i punës në një shkollë të Budapestit për shkak se ishin bërë pjesë e kësaj lëvizjeje. Kryeministri nacionalist, Viktor Orban, po ballafaqohet me sfidën më të vështirë ekonomike që nga ardhja në pushtet më 2010.
I përkeqësuar nga lufta në Ukrainën fqinje dhe nga rënia e vlerës së valutës vendëse në nivel rekord, inflacioni në Hungari është drejt një rekordi 26-vjeçar vitin e ardhshëm. Analistët presin që edhe rritja ekonomike të ngecë.
“Ajo që po më mungon vërtet, është që unë nuk mund ta jetoj jetën e një personi me diplomë” – tha në protestën e mbajtur në Budapest mësuesi 43-vjeçar i historisë, Janos Dzsida, i martuar me një mësuese dhe baba i dy fëmijëve.
“Nuk mund t’i bëjmë ballë financiarisht shkuarjes në teatër, në operë ose në çfarëdo ngjarjeje kulturore dhe mendoj se ky është turp për Qeverinë e Hungarisë”- shtoi ai, duke qëndruar në një ujë të kryeqytetit dhe duke i përshëndetur me dorë drejtuesit e veturave, të cilët po u binin borive si shenjë e përkrahjes për protestuesit.
Nga dy pagat e tyre, me shumë prej rreth 500 mijë forintash (rreth 1.270 dollarë), atyre zor se u mbeten të holla pas pagimit të qirasë dhe faturave.
Qeveria e Orbanit ka thënë se do t’i rrisë pagat e mësuesve posa të lëshohen mjetet e rimëkëmbjes nga Bashkimi Evropian, të cilat janë ngrirë për shkak të një mosmarrëveshjeje për sundimin e ligjit dhe nivelit të demokracisë në vend.
