Zgjatet armëpushimi në Sudan, por raportohet se luftimet po vazhdojnë
Palët rivale në konfliktin e Sudanit janë pajtuar që ta vazhdojnë afatin e armëpushimit për 72 orë të tjera pak para se të skadonte marrëveshja paraprake.
Ujdia për zgjatjen e armëpushimit erdhi pas përpjekjeve intensive diplomatike nga vendet fqinje si dhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, ka raportime të vazhdueshme për luftime të ashpra në kryeqytetin Khartoum, raporton televizioni BBC.
Marrëveshja e kaluar për armëpushim u mundësoi mijëra civilëve që të përpiqeshin për të shkuar në vende më të sigurta, ndërsa dhjetëra shtete janë munduar që t’i evakuojnë shtetasit e tyre.
Qindra njerëz kanë vdekur nga luftimet që filluan mes ushtrisë dhe një grupi paramilitar rival para gati dy javëve. Armëpushimi i vjetër planifikohej që të përfundonte mbrëmë në mesnatë.
Të enjten në mbrëmje, ushtria sudaneze u pajtua për zgjatjen e afatit të armëpushimit, ndërsa të njëjtin veprim e bënë disa orë më vonë edhe Forcat për Mbështetje të Shpejtë.
Sudani i Jugut ka bërë ofertë për të organizuar bisedime për paqe dhe ushtria është pajtuar që të dërgojë përfaqësues në bisedime.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se Uashingtoni është duke punuar në mënyrë shumë aktive për ta zgjatur afatin e armëpushimit, duke shtuar se, edhe pse jo e përsosur, marrëveshja e ka pakësuar dhunën.
Megjithatë, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, më vonë tha se situata mund të përkeqësohet në secilin çast.
Ndërkohë Forcat për Mbështetje të Shpejtë dhe dëshmitarët thanë se ushtria i ka goditur pozicionet e këtij grupi në Khartoum.
Ministrja e Jashtme në qeverinë civile, Maryam al-Sadiq al-Mahdi, i tha televizionit BBC nga shtëpia e saj në Khartoum se, pavarësisht nga armëpushimi, civilët ende janë të frikësuar.
“Ai që ata e quajnë armëpushim nuk ka të bëjë asgjë me atë që është duke ndodhur. Bombardimi nga aeroplanët po ndodh gati tërë ditën dhe natën”- tha ajo.
Të paktën 512 persona janë vrarë gjatë luftimeve, ndërsa gati 4.200 të tjerë janë lënduar, edhe pse numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

