Britania e Madhe “akuzohet” për vonimin e përpjekjeve gjermane për evakuim nga Sudani - NACIONALE

Britania e Madhe “akuzohet” për vonimin e përpjekjeve gjermane për evakuim nga Sudani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Burime të larta politike gjermane kanë thënë për BBC-në se përpjekjet britanike për të evakuuar stafin e ambasadës së saj nga Sudani në fundjavë, kanë vonuar përpjekjet e vendeve të tjera për të shpëtuar qytetarët e tyre.

Sipas BBC-së, burimet gjermane pretendojnë se forcat britanike kanë zbarkuar në Sudan pa lejen e ushtrisë sudaneze - pasi vendet e tjera evropiane shpresonin t'i transportonin qytetarët me avion.

Bëhet e ditur se Gjermania kishte planifikuar të përdorte aeroportin në veri të Khartoum nga i cili janë kryer operacionet e mëvonshme të evakuimit. Megjithatë, burimet kanë thënë se "prania e paparalajmëruar ushtarake britanike" ka zemëruar aq shumë ushtrinë sudaneze saqë ata kanë refuzuar hyrjen në objekt.

Sipas një burimi tjetër, pasi kishin zbritur pa leje, britanikët është dashur të paguajnë ushtrinë para se të largoheshin, dhe prandaj këto “negociata” për përdorimin e fushës ajrore kanë bërë që shpëtimtarët gjermanë të "humbin të paktën gjysmë dite" gjatë asaj që, në atë kohë, konsiderohej si një dritare shumë e vogël mundësie.

Në anën tjetër, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka mohuar se është përgjegjëse për ndonjë vonesë. Në një deklaratë, një zëdhënës ka thënë se: "Nuk është e saktë të sugjerohet se përpjekjet e Britanisë për të evakuuar stafin e ambasadës nga Sudani fundjavën e kaluar ngadalësuan planet e Gjermanisë.”

“Operimi në rrethana të tilla komplekse do të vijë gjithmonë me sfida, por ne kemi punuar jashtëzakonisht ngushtë me partnerët tanë francezë, amerikanë dhe veçanërisht gjermanë, të cilët kanë lehtësuar aksesin në aeroport gjatë gjithë kësaj jave, dhe natyrisht ne i mbetemi mirënjohës Forcave të Armatosura sudaneze, "- ka shtuar zëdhënësi britanik.

Edhe pse Gjermania ka përfunduar tani misionin e saj të shpëtimit, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius është pyetur se pse Britania e Madhe kishte arritur të nxirrte stafin e ambasadës së saj të shtunën, ndërsa fluturimet gjermane kishin nisur të dielën.

Sipas BBC-së, kësaj pyetje Pistorius i ishte përgjigjur duke thënë: "Si ta them diplomatikisht? Ata injoruan atë që sudanezët kishin përcaktuar."

Ndër të tjera, media britanike shkruan se në Berlin, ka gjurmë të vazhdueshme përbuzjeje për trajtimin fillestar të krizës nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock mund të mos e ketë përmendur Mbretërinë e Bashkuar me emër, por ka filluar një sulm të maskuar hollë ndaj vendeve që, sipas saj, kishin braktisur qytetarët e tyre dhe i ishin fokusuar vetëm te stafi diplomatik.

Lajme të ngjashme