Ushtria e Sudanit thotë se do t'i evakuojë diplomatët dhe shtetasit e disa vendeve
Ushtria sudaneze ka thënë se diplomatët dhe shtetasit amerikanë, britanikë, francezë dhe kinezë do të evakuohen nga Sudani me aeroplanë, përderisa luftimet në shtetin afrikan po vazhdojnë.
Komandanti i ushtrisë, Fattah al-Burhan, u pajtua që ta lehtësojë dhe sigurojë evakuimin e tyre në orët e ardhshme, thuhet në një deklaratë të ushtrisë sudaneze.
Ai është përfshirë në një luftë për pushtet me udhëheqësin e krahut paramilitar të ushtrisë, Forcat për Mbështetje të Shpejtë, raporton telelvizioni BBC.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se mbi 400 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve para një jave.
Planet e mëparshme për evakuimin e shtetasve të huaj nuk janë zbatuar për shkak të frikës për mungesën e sigurisë.
Në deklaratën e ushtrisë thuhet se diplomatët dhe shtetasit nga ShBA-ja, Franca, Britania dhe Kina do të evakuohen përmes aeroplanëve transportues ushtarakë nga kryeqyteti Khartoum.
Edhe Arabia Saudite ka njoftuar se do ta organizojë evakuimin e shtetasve sauditë dhe të "vendeve vëllazërore". Ushtria sudaneze ka thënë se punëtorët e misionit diplomatik të Arabisë Saudite tashmë janë evakuuar.
Konflikti ka hyrë në javën e dytë, edhe pse të dyja palët e luftimeve janë pajtuar për një armëpushim treditor për nder të festës së Bajramit të Madh, duke filluar nga e premtja.
Aeroporti ndërkombëtar i Khartoumit është mbyllur për shkak të dhunës dhe ambasadat nuk kanë mundur që ta sigurojnë kthimin e qytetarëve të huaj në atdhe.
Luftimet në rrugë shpërthyen më 15 prill në Khartoum pas shfaqjes së mosmarrëveshjeve mes udhëheqësve të ushtrisë dhe të paramilitarëve të RSF-së.

