Dalin dëshmi që "Wagner"-i po i armatos forcat paramilitare RSF në Sudan
Grupi rus i mercenarëve, "Wagner", i ka furnizuar me raketa Forcat për Mbështetje të Shpejtë (RSF) në Sudan për ta ndihmuar luftën e tyre kundër ushtrisë së vendit afrikan. Kështu i kanë thënë televizioni CNN disa burime diplomatike sudaneze e rajonale.
Burimet thanë se raketat tokë - ajër i kanë mbështetur në masë të konsiderueshme paramilitarët e RSF-së dhe udhëheqësin e tyre, Mohamed Hamdan Dagalo, i cili po lufton kundër gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqës ushtarak i vendit dhe komandant i ushtrisë.
Në Libinë fqinje, ku gjenerali i përkrahur nga grupi "Wagner", Khalifa Haftar, kontrollon territor të madh, pamjet satelitore i mbështesin këto pretendime, duke shfaqur shtim të pazakonshëm të veprimeve në bazat e grupit famëkeq.
Grupi i fuqishëm i mercenarëve ka luajtur rol publik dhe shumë të rëndësishëm në fushatat e huaja ushtarake të Moskës, përfshirë Ukrainën, dhe vazhdimisht është akuzuar për mizori. Në Afrikë, ky grup e ka ndihmuar rritjen e ndikimit të Moskës dhe marrjen nën kontroll të burimeve të ndryshme.
Imazhet satelitore të analizuara nga televizioni CNN dhe nga grupi "All Eyes on Wagner" shfaqin një aeroplan transportues rus duke qarkulluar mes dy bazave kyçe ajrore libiane që i përkasin Haftarit dhe që shfrytëzohen nga grupi i sanksionuar rus.
Burimet thonë se Hafari e ka përkrahur RSF-në, edhe pse ai mohon që ka marrë anë. Shtimi i aktivitetit të grupit "Wagner" në bazat e tij, i kombinuar me pretendimet e burimeve diplomatike sudaneze e rajonale, sugjeron se edhe Rusia, edhe gjenerali libian ishin përgatitur për ta përkrahur RSF-në edhe para shpërthimit të dhunës.
Shtimi i lëvizjes së aeroplanit transportues "Illyshin-76" filloi dy ditë para nisjes së konfliktit në Sudan dhe vazhdoi të paktën deri të mërkurën, sipas pamjeve satelitore dhe specialistit me bazë në Holandë, Gerjon.
Ky aeroplan fluituroi nga baza ajrore "Khadim" e Haftarit në Libi drejt qytetit bregdetar sirian, Latakia, kur Rusia ka një bazë të rëndësishme ajrore, të enjten, më 13 prill. Të nesërmen, aeroplani u kthye nga Latakia në bazën "Khadim". Një ditë më pas, aeroplani fluturoi përsëri drejt një baze tjetër ajrore të Haftarit në Jufra të Libisë. U parkua në një zonë të veçuar, diçka që Gerjoni e cilësoi shumë të pazakonshme. Atë ditë shpërtheu konflikti.

Me vite, Dagalo ka qenë përfitues kyç nga përfshirja e Rusisë në Sudan, si marrës parësor i armëve dhe trajnimeve të Moskës.
Sipas një hulumtimi të televizionit CNN më 2022, Rusia dhe udhëheqësia ushtarake e Sudanit po i thellonin lidhjet. Udhëheqësit ushtarakë i kanë dhënë Rusisë qasje në pasuritë e arit në vend në këmbim të përkrahjes ushtarake dhe politike.

