Pse konflikti i Sudanit ka peshë për pjesën tjetër të botës?
Luftimet në Sudan mes forcave besnike ndaj dy gjeneralëve e kanë vënë vendin në rrezik të dështimit dhe mund të kenë pasoja shumë më larg tij.
Të dyja palët kanë dhjetëra mijëra luftëtarë, përkrahës të huaj, pasuri minerale dhe burime të tjera që do të mund t'i izolonin ata nga sanksionet. Kjo është recetë për llojin e konfliktit të gjatë që ka shkatërruar shtete të tjera në Lindje të Mesme e Afrikë, nga Libani e Siria te Libia e Etiopia, raporton agjencia "Associated Press".
Kush po lufton?
Gjenerali Abdel Fattah Burhan, komandant i forcave të armatosura, dhe gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo, udhëheqës i grupit paramilitar të njohur si Forcat për Mbështetje të Shpejtë, po synojnë që ta kontrollojnë vendin. Lufta e tyre vjen dy vjet pas realizimit të përbashkët të një puçi ushtarak dhe një tranzicioni të devijuar drejt demokracinë, i cili kishte filluar pas protestave të vitit 2019, me të cilat u rrëzua autokrati me pushtet të gjatë, Omar al-Bashir. Muajve të fundit, filluan bisedimet për kthimin e Sudanit te pushteti demokratik.
Fituesi i luftimeve të reja ka gjasë që të jetë president i ardhshëm i Sudanit, ndërsa humbësi mund të ballafaqohet me ekzil, arrestim ose vdekje. Një luftë e gjatë civile ose ndarja e vendit afrikan në çifligje rivale janë gjithashtu të mundshme.
Alex De Waal, ekspert i Sudanit në Universitetin "Tufts", tha këtë javë se konflikti duhet të shihet si rund i parë i një lufte civile.
"Nëse nuk i jepet fund shpejt, konflikti do të bëhet lojë me shumë nivele, aktorët rajonalë dhe disa ndërkombëtarë do t'i ndjekin interesat e veta, duke përdorur para, furnizim me armë dhe, me gjasë, trupat ose prokurat e veta"- shkroi ai.
Egjipti varet nga Nili për ta mbështetur popullsinë e vet prej më shumë se 100 milionë banorësh, ndërsa Etiopia është duke ndërtuar një digë masive që i ka alarmuar Sudanin dhe Egjiptin.
Egjipti ka lidhje të ngushta me ushtrinë e Sudanit, të cilën e sheh si aleate kundër Etiopisë. Egjipti u ka bërë thirrje të dyja palëve që të arrijnë armëpushim, por ka pak gjasa që t'i dalë në krahë forcave të armatosura të Sudanit, nëse ato ballafaqohen me humbje.
Sudani kufizohet edhe me pesë shtete të tjera: Libia, Çadi, Republika e Afrikës Qendrore, Eritrea dhe Sudani i Jugut, i cili u nda nga Sudani më 2011 dhe me vete mori 75 për qind të burimeve të naftës. Pothuajse të gjitha këto vende janë të zhytura në konfliktet e tyre të brendshme. Grupe të ndryshme të rebelëve operojnë përgjatë kufijve porozë.
"Ajo që ndodh në Sudan, nuk do të mbetet në Sudan. Çadi dhe Sudani i Jugut duken më së afërmi rrezikut për eskalim të mundshëm, por sa më gjatë që shkon, aq më shumë ka gjasa që të shohim një ndërhyrje të madhe ndërkombëtare"- tha Alan Boswell nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Cilat fuqi të huaja interesohen për Sudanin?
Vendet e Gjirit Arab i kanë kthyer sytë nga Briri i Afrikës në vjetët e fundit, pasi kanë synuar që ta shtrijnë fuqinë në rajon.
Emiratet e Bashkuara Arabe, fuqi ushtarake në rritje që e ka zgjeruar praninë në Lindje të Mesme dhe në Afrikën Lindore, ka lidhje të ngushta me Forcat për Mbështetje të Shpejtë, të cilat kanë dërguar mijëra luftëtarë për t'i ndihmuar Emiratet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite në luftën e tyre kundër rebelëve Houthi të përkrahur nga Irani në Jemen.
Ndërkohë Rusia ka pasur plane për të ndërtuar një bazë detare për 300 trupa dhe katër anije në qytetin Port Sudan, në një rrugë jetike tregtare për dërgesat e energjisë drejt Evropës nëpër Detin e Kuq.
Çfarë roli luajnë vendet perëndimore?
Sudani u bë vend i leçitur në rrafshin ndërkombëtar, kur i strehoi Osama bin Ladenin dhe militantë të tjerë në vitet e nëntëdhjeta, kur al-Bashiri kishte vendosur një qeveri me vijë të ashpër islamiste.
Izolimi i vendit u thellua për shkak të konfliktit në rajonin e Darfurit në vitet e para të shekullit të ri, kur forcat sudaneze dhe militantët u akuzuan për kryerje të mizorive, përderisa shtypnin një rebelim lokal. Gjykata Ndërkombëtare Penale e akuzoi al-Bashirin për gjenocid.
Shtetet e Bashkuara e larguan Sudanin nga lista e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit, pasi qeveria në Khartoum u pajtua që të themelonte marrëdhënie me Izraelin në vitin 2020.
Megjithatë, miliarda dollarë hua dhe ndihma u pezulluan pas puçit ushtarak të vitit 2021. Kjo, bashkë me luftën në Ukrainë dhe inflacionin global, e çoi ekonominë e vendit në rënie të lirë.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

