Luftime të egra në Sudan, çfarë po ndodh?
Luftimet që kanë shpërthyer në kryeqytetin sudanez, Khartoum dhe qytete të tjera janë rezultat i drejtpërdrejtë i një lufte të egër për pushtet brenda udhëheqjes ushtarake të vendit.
Është raportuar për përleshje në vende strategjike kyçe në të gjithë kryeqytetin ndërsa anëtarët e një force paraushtarake - Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) - dhe ushtarët e rregullt janë duke luftuar mes vete.
Si erdhi deri te luftimet?
Që nga një grusht shteti në tetor 2021, Sudani është drejtuar nga një këshill gjeneralësh dhe në qendër të mosmarrëveshjes ka dy ushtarakë.
Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është kreu i forcave të armatosura dhe në fakt presidenti i vendit, si dhe zëvendësi i tij dhe udhëheqësi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti.
Mosmarrëveshja mes tyre ka ardhur pas të dy nuk kanë mundur të dakordohen për drejtimin në të cilin për shkon vendi dhe lëvizjen e propozuar drejt sundimit civil.
Një nga pikat kryesore të pengesave është mbi planet për të përfshirë RSF-në prej 100,000 trupash në ushtri dhe se kush do të drejtonte më pas forcën e re.
Pse filloi gjithçka të shtunën?
Dhuna pason ditë tensioni pasi anëtarët e RSF-së u zhvendosën në të gjithë vendin në një lëvizje që ushtria e pa si një kërcënim.
Sipas The Guardian, ende nuk dihet se kush ka qëlluar të shtënat e para mëngjesin e së shtunës, por ekziston frika se kjo do të përkeqësojë një situatë tashmë të paqëndrueshme.
Kush janë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë?
RSF është formuar në vitin 2013 dhe e ka origjinën në milicinë famëkeqe Janjaëeed që ka luftuar brutalisht kundër rebelëve në Darfur.
Që atëherë, gjenerali Dagalo ka ndërtuar një forcë të fuqishme që ka ndërhyrë në konfliktet në Jemen dhe Libi dhe kontrollon disa nga minierat e arit të Sudanit.
Kjo forcë është akuzuar gjithashtu për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë masakrën e më shumë se 120 protestuesve në qershor 2019.
Prandaj, forcë kaq e fortë jashtë ushtrisë është parë si burim jostabiliteti në vend.
Pse është ushtria në krye?
Këto luftime janë episodi i fundit në periudhat e tensionit që pasuan rrëzimin e presidentit Omar al-Bashir në vitin 2019, pas tre dekadash që ishte në pushtet me ushtrinë që organizoi grusht shteti.
Megjithatë, civilët kanë vazhduar të kërkojnë një rol në planin për të ecur drejt sundimit demokratik.
Më pas është krijuar një qeveri e përbashkët ushtarako-civile, e cila është rrëzuar në një tjetër grusht shteti në tetor 2021, e që atëherë, rivaliteti midis Gjeneral Burhan dhe Gjeneral Dagalo është intensifikuar.
Çfarë mund të ndodhë tani?
Nëse luftimet vazhdojnë, atëherë ato mund të copëtojnë më tej vendin dhe të përkeqësojnë turbulencat politike.
Diplomatët, të cilët kanë luajtur një rol vendimtar në përpjekjen për të nxitur një kthim në sundimin civil, do të jenë të dëshpëruar për të gjetur një mënyrë për t'i bërë dy gjeneralët të bisedojnë. E në ndërkohë, do të jenë sudanezët e zakonshëm ata që do të duhet të kalojnë një periudhë tjetër pasigurie.

