Shpërthejnë luftimet në Sudan, paramilitarët thonë se e kanë marrë pallatin presidencial - NACIONALE

Shpërthejnë luftimet në Sudan, paramilitarët thonë se e kanë marrë pallatin presidencial

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat paramilitare të Sudanit, RSF, thanë se e kanë marrë kontrollin e pallatit presidencial, rezidencën e komandantit të ushtrisë dhe aeroportin ndërkombëtar të Khartoumit të shtunën, pas përleshjeve me ushtrinë në luftën për pushtet që po eskalon.

Përmes një deklarate, RSF-ja tha se e ka marrë kontrollin edhe në aeroportet e qyteteve Merowe në veri dhe El-Obeid në perëndim, raporton agjencia “Reuters”.

Të shtënat e armëve mund të dëgjoheshin në disa pjesë të kryeqytetit Khartoum dhe dëshmitarët po raportojnë për të shtëna edhe në qytetet përreth tij.

Një gazetar i agjencisë “Reuters” pa automjete të blinduara dhe topa rrugëve dhe e dëgjoi zhurmën e zjarrit të armëve të rënda afër selive qendrore të ushtrisë dhe RSF-së.

Ushtria tha se RSF-ja është munduar t’i sulmojë trupat e saj në disa pozicione, pasi dëshmitarët raportuan për të shtëna të shumta armësh në disa pjesë të vendit, duke shkaktuar frikë për konflikt të plotë.

Në anën tjetër, RSF-ja tha se forcat e saj janë sulmuar nga ushtria sudaneze.

Një ballafaqim i gjatë mes RSF-së dhe ushtrisë do të mund të shkaktonte konflikt të vazhdueshëm në mbarë shtetin e madh afrikan, i cili tashmë është duke u ballafaquar me krizë ekonomike e përkeqësim të dhunës fisnore.

Më herët, RSF-ja, e udhëhequr nga ish-udhëheqësi militant, Gjeneral Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur më mirë si Hemedti, tha se ushtria e kishte rrethuar njërën nga bazat e grupit dhe kishte hapur zjarr me armë të rënda.

Dhuna shpërtheu pas tensioneve mes ushtrisë dhe RSF-së, grup i fuqishëm paramilitar. Kjo kishte shkaktuar shqetësim për një ballafaqim që do t’i minonte përpjekjet e gjata për ta kthyer pushtetin civil në Sudan pas puçeve ushtarake.

Lajme të ngjashme