Eskalojnë përleshjet në Sudan: Aeroplanë luftarakë në qiell, raportohet për tre të vrarë
Kanë eskaluar përleshjet mes ushtrisë së Sudanit dhe një force paramilitarësh në këtë shtet. Aeroplanët luftarakë janë parë në qiell mbi kryeqytetin Khartoum, ndërsa raportohet për tre të vrarë.
Një sindikatë e mjekëve ka thënë se të paktën tre civilë janë vrarë nga përleshjet e sotme në Khartoum, raporton televizioni BBC.
Ndërkohë raportohet se dy persona janë vrarë, kur një predhë goditi një aeroplan pasagjerësh në aeroportin e kryeqytetit. Nuk është e qartë nëse është fjala për të njëjtat viktima për të cilat raportoi sindikata e mjekëve.
Aeroplanët komercialë janë kthyer në shtetet nga janë nisur për shkak të luftimeve. Disa fluturime nga Arabia Saudite janë kthyer prapa në momentin e fundit, sipas të dhënave për përcjelljen e aviacionit.
Luftime ka pasur edhe në zyrat qendrore të televizionit shtetëror, sipas një prezantuesi që u paraqit për pak kohë në ekran. Të shtënat e armëve mund të dëgjoheshin në prapavijë, përderisa ai ishte në transmetim, raporton agjencia “Reuters”.
Udhëheqësi i Forcave për Mbështetje të Shpejtë (RSF), Gjeneral Mohamed Hamdan Dagalo, ka pretenduar se trupat e tij janë detyruar që të përfshihen në ballafaqim me ushtrinë për të parandaluar një komplot për puç.
Në një intervistë përmes telefonit me televizionin “Al-Jazeera”, ai tha se RSF-ja do t’i vazhdojë luftimet derisa të kapen të gjitha bazat ushtarake.
Ai e përshkroi komandantin e ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, si kriminel dhe e akuzoi ushtrinë për kryerjen e një komploti të planifikuar nga përkrahësit e ish-presidentit autoritar të Sudanit, Omar al-Bashir, i cili u rrëzua nga pushteti përmes puçit më 2021.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka bërë thirrje të gjitha forcave që ta ndalin dhunën menjëherë. “Një eskalim vetëm do ta rëndojë situatën. Mbrojtja e qytetarëve është prioritet”- tha ai.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite ka lëshuar një deklaratë, në të cilën ka thënë se është thellësisht e shqetësuar për eskalimin e dhunës në Khartoum. Në deklaratë bëhet thirrje që palët e përfshira ta zgjedhin dialogun para konfliktit.
