Zelensky thotë se Rusia po e trazon gjendjen në Ballkan që shtetet të luftojnë mes vete
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke e trazuar situatën në Ballkan “në mënyrë që një shtet të luftojë kundër një tjetri”.
Presidenti ukrainas e bëri këtë koment gjatë një interviste me media afrikane. “Rusia, siç mund të shihni, është e përfshirë në “shpërthime” të ndryshme”- shtoi ai.
“Por jepini vëmendje Ballkanit. Më besoni, po marrim informata. Rusia ka një plan të gjatë. Lindjen e Mesme. Shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Të paktën, nëse vendet e botës, partnerët, nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër “shpërthim” të tillë dhe prapë, s’është tregim i ri. Është një krizë në marrëdhëniet e tyre dhe ka qenë për kohë të gjatë. Për këtë arsye, Rusia do të investojë për t’u siguruar që një shtet në Ballkan të jetë në luftë me një tjetër”- tha më tej presidenti Zelensky.
Sipas tij, Kremlini është i interesuar që shtetet e tjera të detyrohen të shpërndajnë ndihma në disa pika në të njëjtën kohë, jo vetëm në një, raporton faqja ukrainase e lajmeve, "Oboz.ua".
Ai e përmendi rastin që rusët po fillojnë ta minojnë situatën në Moldavi. “Më besoni, është e njëjta gjë”- tha Zelensky, duke pretenduar se Rusia dëshiron të tregojë se “diçka ishte gabim gjatë zgjedhjeve për ta rrëzuar qeverinë e tanishme pro-evropiane”.
Më tutje, Zelensky pretendoi se luftëtarët e grupit “Wagner” janë duke u trajnuar në Bjellorusi në mënyrë specifike për kontinentin afrikan.
Gjatë së njëjtës konferencë për gazetarë, presidenti ukrainas tha se ngrirja e konfliktit ushtarak me Rusinë do të ishte manifestim i pozicionit të dobët të Ukrainës.
Sipas Zelenskyt, si rezultat i këtij veprimi, ukrainasit do të siguronin armëpushim të përkohshëm dhe paqe relative, por ata duhet të përgatiten që fëmijët e nipërit e tyre të luftojnë.