Zelensky thotë se nuk e di nëse Trumpi ka marrëdhënie më të ngushta me të a me Putinin - NACIONALE

Zelensky thotë se nuk e di nëse Trumpi ka marrëdhënie më të ngushta me të a me Putinin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të forta përballë kërkesave ruse për heqjen e sanksioneve si kusht për armëpushim në Detin e Zi.

Moska tha se armëpushimi detar i njoftuar të martën për ta lejuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare do të fillojë vetëm kur të hiqen kufizimet e Perëndimit ndaj tregtisë së ushqimit dhe plehrave ruse, raporton televizioni BBC.

Zelensky foli gjatë një interviste në Paris me gazetarë nga pjesë të ndryshme të Evropës. Kur u pyet nga BBC-ja nëse Shtetet e Bashkuara do t’i rezistojnë presionit rus, ai tha: “Shpresoj. Me bekimin e Zotit, ata do të rezistojnë, por do të shohim.”

Shtëpia e Bardhë tha të martën se delegacionet nga Rusia e Ukraina ishin pajtuar për një armëpushim në Detin e Zi pas tri ditëve bisedimesh të ndara me zyrtarë amerikanë në Arabinë Saudite.

Megjithatë, disa orë më vonë, Kremlini doli me deklaratë, duke paraqitur edhe një listë me kushte. Rusia kërkoi që të largohen sanksionet perëndimore ndaj institucioneve financiare të përfshira në tregtinë e prodhimeve bujqësore dhe rikthimin e qasjes së tyre në sistemin ndërkombëtar të pagesave “Sëift”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se vendi i tij ishte “duke i shikuar” kërkesat e Moskës për heqjen e kufizimeve, por Bashkimi Evropian tha të mërkurën se nuk do ta shqyrtonte largimin e sanksioneve para tërheqjes “së pakushtëzuar” të trupave ruse nga territori ukrainas i njohur ndërkombëtarisht.

Duke folur para panelit të gazetarëve në Paris, Zelensky tha se ai është shumë mirënjohës për përkrahjen dypartiake në Shtetet e Bashkuara për vendin e tij, por shtoi se kishte frikë që disa ishin “nën ndikimin e narrativave ruse”.

Kur u pyet nëse amerikani Donald Trump ka marrëdhënie më të ngushta me të apo me homologun rus, Vladimir Putin, Zelensky tha se nuk e di.

“Nuk e di – është vështirë për mua që ta them. Unë nuk di se çfarë marrëdhëniesh ka ai, nuk di sa biseda ka pasur” – tha presidenti ukrainas, duke iu referuar Trumpit./Nacionale

Lajme të ngjashme