Zelensky thotë se bota duhet ta ndihmojë Iranin që ta gjenerojë ndryshimin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se bota duhet t’i ndihmojë iranianët që t’i forcojnë protestat për të gjeneruar ndryshim e për ta liruar veten nga pushteti që u ka sjellë të këqija atyre dhe shteteve të tjera, përfshirë edhe vendin e tij.
Duke folur në fjalimin tradicional të mbrëmjes, presidenti ukrainas i përshkroi si “kryengritje” protestat gjithëkombëtare që e kanë kapluar Iranin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai tha se kjo kryengritje dëshmon se Rusia duhet t’i rimendojë lidhjet e saj të ngushta me Iranin, ku është përfshirë përdorimi i gjerë i dronëve iranianë “Shahed” në luftën gati 4-vjeçare kundër Ukrainës.
“Secili person normal në Tokë dëshiron shumë që populli i Iranit përfundimisht të jetë mjaftueshëm me fat për ta çliruar veten nga regjimi që ekziston atje dhe që ka sjellë shumë të këqija, përfshirë ato për Ukrainën dhe vendet e tjera” – tha Zelensky.
“Është me rëndësi që bota të mos e humbë këtë moment, kur ndryshimi është i mundshëm. Secili udhëheqës, secili shtet, organizatat ndërkombëtare duhet të angazhohen tani dhe ta ndihmojnë popullin që t’i largojnë ata që janë përgjegjës për atë që Irani fatkeqësisht ka qenë” – shtoi ai.
Grupi për të drejtat e njeriut me bazë në ShBA, HRANA, tha se e ka vërtetuar vdekjen e 572 njerëzve dhe arrestimin e më shumë se 10 mijë të tjerëve në protestat që nisën më 28 dhjetor.
Protestat kanë evaluuar me kërkesa, nga ankesat për vështirësitë ekonomike te thirrjet për ndryshimin e udhëheqjes së vendit, që drejtohet nga klerikët.
Rusia dhe Irani kanë zhvilluar lidhje më të ngushta që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian, vitin e kaluar nënshkruan një pakt 20-vjeçar për partneritet strategjik që i thellon lidhjet ushtarake dhe e forcon bashkëpunimin në një varg sektorësh./Nacionale