Zelensky: Situata në Mariupol e vështirë, Rusia do të shënohet ndër breza si burim i së keqes absolute
Presidenti i Ukrainës Zelensky ka dhënë fjalimin e tij të natës, me një përditësim mbi luftimet në lindje.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ai thotë se "situata në Mariupol mbetet e vështirë dhe pa asnjë ndryshim", duke shtuar se forcat ruse kanë bllokuar përpjekjet për të organizuar korridore humanitare për të ndihmuar civilët të largohen nga qyteti i rrethuar.
Ai gjithashtu thotë se "nuk dihet fati i dhjetëra mijëra banorëve të Mariupolit, të cilët më herët janë zhvendosur në territorin e kontrolluar nga Rusia".
Zelensky pretendon se "intensiteti i sulmeve nga trupat ruse në drejtimin Kharkiv, Donbas dhe në rajonin e Dnipropetrovsk është rritur ndjeshëm" dhe akuzon Rusinë për shënjestrimin e ndërtesave të banimit dhe civilëve, duke shtuar se "kjo është një poshtërsi, e cila me breza do ta shënojë shtetin rus si një burim i së keqes absolute".