Zelensky paralajmëron se pa ndihma nga ShBA-ja, Ukraina ballafaqohet me dorëzim territoresh - NACIONALE

Zelensky paralajmëron se pa ndihma nga ShBA-ja, Ukraina ballafaqohet me dorëzim territoresh

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se forcat ukrainase do të detyrohen që t’i dorëzojnë më shumë territore Rusisë, nëse nuk arrin shpejt ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Ai e dha këtë vlerësim gjatë apelit më të ri ndaj Kongresit të ShBA-së që të miratojë një pako miliardëshe të ndihmave për Ukrainën.

Administrata e presidentit Joe Biden po ballafaqohet me vështirësi për ta siguruar miratimin e një pakoje 95-miliardëshe të ndihmave ndërkombëtare – që përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën – në Dhomën e Përfaqësuesve më shumë se një muaj që nga miratimi i saj në Senat, raporton televizioni CNN.

Zelensky paralajmëroi se mungesa e ndihmës është urgjente dhe mund të rrezikojë qytete kryesore të Ukrainës.

“Nëse nuk ka përkrahje nga ShBA-ja, kjo do të thotë se ne nuk kemi mbrojtje ajrore, s’kemi raketa “Patriot”, s’kemi bllokues të pajisjeve luftarake elektronike, s’kemi predha artilerie 155-milimetërshe. Kjo do të thotë se do të shkojmë prapa, do të tërhiqemi, hap pas hapi, në hapa të vegjël” – i tha Zelensky gazetës amerikane “The Washington Post” në një intervistë të publikuar të premten.

Ai shtoi se Kievi do të detyrohej që të bëjë më pak dhe t’u caktojë prioritete burimeve dhe se pakësimi do të mund të kishte pasoja.

“Nëse ju nevojiten 8.000 predha në ditë për ta mbrojtur vijën e frontit, por keni vetë, për shembull, 2.000 predha, duhet të bëni më pak” – shpjegoi Zelensky, duke thënë se kjo zgjidhje mund ta bëjë të nevojshëm shkurtimin e vijës së frontit.

“Nëse ajo thyhet, rusët do të mund të shkonin në qytete të mëdha” – paralajmëroi presidenti ukrainas.

Një pjesë e madhe e zonave lindore të Ukrainës ka qenë nën kontrollin ushtarak rus që nga fillimi i pushtimit të plotë para më shumë se dy vjetëve.

Muajin e kaluar, Ukraina e njoftoi tërheqjen e forcave nga Avdivka, njëra nga qytezat më së ashpri të kontestuara në frontin lindor muajve të fundit.

Përderisa pesha strategjike e saj është e kufizuar, humbja e Avdivkës – bashkë me rënien e qytezës Bakhmut vitin e kaluar – tregon se si lufta duket që është kthyer në favorin e Rusisë.

Zelensky tha se Ukraina po mundohet që “të gjejë ndonjë mënyrë për të mos u tërhequr”. Sipas tij, qëllimi i Ukrainës deri më tani është që ta mbajë stabile situatën në vijën e frontit.

“Nëse fronti mbetet stabil, Ukraina mund të armatosë dhe të trajnojë brigada të reja në prapavijë për të kryer një kundërsulm të ri më vonë këtë vit” – tha presidenti ukrainas.

Ai theksoi se opsionet e Ukrainës varen nga vendimi i Kongresit të ShBA-së. “Nuk mund të humbim kohë më. Ukraina nuk mund të jetë problem politik mes palëve” – u ankua Zelensky.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme