Zelensky kërkon ndihmë nga Jinpingu për t’i marrë fëmijët ukrainas nga Rusia - NACIONALE

Zelensky kërkon ndihmë nga Jinpingu për t’i marrë fëmijët ukrainas nga Rusia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se ka kërkuar ndihmë nga homologu kinez, Xi Jinping, për t’i kthyer në atdhe fëmijët ukrainas që janë dërguar në Rusi.

“Duhet ta përfshijmë secilin... për t’i bërë presion agresorit rus dhe terroristëve që rrëmbyen aq shumë nga fëmijët tanë. OKB-ja, shumë të tjerë duan të bëjnë diçka, por deri më tani, rezultatet kanë qenë të dobëta, prandaj i kam bërë apel udhëheqësit të Kinës”- tha Zelensky.

Dy presidentët biseduan përmes telefonit të mërkurën. Kjo ishte biseda e parë e njohur mes dy udhëheqësve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, raporton gazeta “The Guardian”.

Kina thotë se ka qëndrim neutral për luftën në Ukrainë, por presidenti kinez asnjëherë nuk e ka dënuar pushtimin rus.

Më shumë se 16 mijë fëmijë ukrainas janë dëbuar në Rusi që nga fillimi i luftës, sipas Kievit.

Ukraina thotë se shumë prej tyre janë vendosur në institucione dhe në shtëpi kujdesi, akuzë që është mohuar nga Rusia, e cila këmbëngul se i ka shpëtuar fëmijët ukrainas nga tmerret e luftës.

Lajme të ngjashme