Zbulohet raporti i CIA-s: A pritet sprapsja e Netanyahut përballë presionit të ShBA-së
Një vlerësim i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara, që qarkulloi këtë javë mes zyrtarëve amerikanë, konkludon se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, me gjasë gjykon se mund t’ia dalë mbanë pa përcaktuar një plan të pasluftës për Gazën, edhe pse administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka bërë presion të plotë për t’i dhënë fund konfliktit në enklavën palestineze.
Netanyahu “ndoshta beson se mund ta ruajë mbështetjen nga shefat e tij të sigurisë dhe t’i parandalojë dezertimet” nga krahu djathtist i koalicionit përmes diskutimit të së ardhmes së Gazës në “terma të mjegullt”, thuhet në raportin e datës 3 qershor, që është parë nga televizioni CNN.
Ky vlerësim, për të cilin nuk është raportuar më parë, e paraqet njërin nga vlerësimet më të reja të inteligjencës rreth mendësisë së Netanyahut që ka qarkulluar mes zyrtarësh të lartë amerikanë, sipas një burimi të afërt me raportimet e brendshme.
Raportimi për këtë vlerësim vjen në kohën e një ndryshimi të qartë në atë se si e sheh administrata e Bidenit Izraelin: më pak si partner i besueshëm dhe më shumë si qeveri e huaj e paparashikueshme që duhet të analizohet dhe të kuptohet, thekson televizioni amerikan.
CIA refuzoi që të komentonte, kur një gjë e tillë iu kërkua nga televizioni.
Në vlerësim vihet në pak fakti se si kryeministri izraelit po e sfidon presionin nga vetë anëtarët e qeverisë së tij dhe nga administrata e Bidenit për të përcaktuar një “gjendje përfundimtare” për Gazën dhe paralajmërohet se ajo që Netanyahu e ka thënë publikisht me gjasë është e vërtetë: se ai do të angazhohet seriozisht në çështje për situatën e Gazës pas luftës vetëm pas përmbushjes se “atyre që i sheh si standarde kyçe të sigurisë, që mund të marrin muaj”.
Sipas vlerësimit, në këto standarde përfshihen kompletimi i “operacioneve të rëndësishme ushtarake” – për të cilat analistët kanë thënë se është term qëllimisht i mjegullt – si dhe eliminimi i komandantit ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif.
Deif është komandant i Brigadave Qassam dhe, si komandant i lartë i krahut ushtarak të Hamasit, besohet se ka qenë thellësisht i përfshirë në planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në Izrael.
Izraeli është munduar që ta vërë në shënjestër këtë figurë shumë herë në të kaluarën dhe, ndonëse Deif është lënduar, besohet se është ende gjallë.
Këtë javë, presidenti Biden tha se “ekziston çdo arsye që njerëzit të arrijnë një konkluzionin” se Netanyahu është duke e zgjatur luftën për përfitime të veta politike./Nacionale