Zbehet përkrahja për Zelenskyn në ShBA, i refuzohet kërkesa për fjalim në Kongres
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë, tha të enjten se e ka refuzuar kërkesën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të bërë një adresim në seancë të përbashkët para ligjvënësve të të dyja dhomave të Kongresit.
“Zelensky kërkoi seancë të përbashkët (të të dyja dhomave të Kongresit), ne thjesht s’patëm kohë. Ai tashmë ka mbajtur një seancë të përbashkët (në vizitën e kaluar në ShBA)”- tha McCarthy para gazetarëve të enjten, raporton faqja “Axios”.
“Ajo që do ta bëjmë për Zelenskyn është saktësisht gjëja e njëjtë që e kemi bërë për kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, për kryeministren e Italisë”- shtoi ai.
Kur u pyet nga një gazetar se çfarë do t’i thoshte Zelenskyt, McCarthy përmendi disa pyetje për presidentin ukrainas: “Cili është plani për fitore? Ku jemi tash për tash në terren (në fushën e betejës)? Çështjet e llogaridhënies, për të cilat shumë anëtarë (të legjislativit amerikan) kanë pyetje.”
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, tha: “Zelensky tha: Nëse nuk marrim ndihmë, do ta humbim luftën”.
Megjithatë, kundërshtimi i republikanëve për ndarjen e fondeve shtesë për Ukrainën është shtuar. Në një letër dërguar të enjten administratës së presidentit Joe Biden të ShBA-së, 29 republikanë e shprehën kundërshtimin e tyre për dhurimin e fondeve për Kievin.
Edhe pse ka kundërshtime nga opozita, presidenti Biden njoftoi pako të re 325-milionëshe të ndihmës për Ukrainën, ku do të përfshihen artileria, municioni dhe armët kundërtanke.
