Bideni njofton një pako të re 325-milionëshe të ndihmës për Ukrainën - NACIONALE

Bideni njofton një pako të re 325-milionëshe të ndihmës për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi një pako të re të ndihmës për Ukrainën të enjten me vlerë të 325 milionë dollarëve. Ky njoftim u dha gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.

“Sot unë e miratova grupin e radhës të asistencës së sigurisë të ShBA-së për Ukrainën, përfshirë më shumë artileri, më shumë municion, më shumë armë kundërtanke dhe, javën e ardhshme, tanket e para “Abrams” do t’i dërgohen Ukrainës”- tha presidenti amerikan, raporton uebfaqja “Axios”.

Përpos takimit me Bidenin, Zelensky zhvilloi një takim me dyer të mbyllura të enjten pasdite me senatorë amerikanë, shumë prej të cilëve publikisht e çmuan lart presidentin ukrainas.

Sipas një shkrimi të presidentit ukrainas në rrjete sociale, në takim u diskutua për “situatën e fushës së betejës dhe nevojat e mbrojtjes me përparësi”.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, gjithashtu publikoi një fotografi me Zelenskyn në rrjetin X, duke shkruar: “Përkrahja amerikane për Ukrainën nuk është bamirësi. Ajo është në interesat tona të drejtpërdrejta.”

Megjithatë, kundërshtimi i anëtarëve të Partisë Republikane për ndihma shtesë për Ukrainën është shtuar. Në një letër dërguar të enjten administratës së presidentit Biden, 29 republikanë e shprehën kundërshtimin e tyre për ndarjen e fondeve për Kievin.

Lajme të ngjashme